Verstappen dominon edhe në Çmimin e Madh të Kinës, Ferrari ngelet jashtë podiumit

Max Verstappen arriti të fitonte çmimin e madh të Kinës. Piloti i skuderisë Red Bull, vijon të dominojë edhe këtë edicion, teksa regjistroi suksesin e radhës në garën aziatike. Dhe të katërtin në total.

26-vjeçari mban vendin e parë në renditjen e përgjithshme me 110 pikë. Verstappen është favoriti kryesor për të marrë titullin. Holandezi ishte dominues për gjatë gjithë garës, duke mos e vendosur në diskutim triumfin në Kinë.

I dyti u rendit britaniku i McLaren: Lando Norris, i cili po ashtu bëri një paraqitje shumë të mirë. Në podium u ngjit dhe piloti tjetër i Red Bull-it, Sergio Perez. Meksikani regjistroi kohën e tretë më të mirë.

Vetëm vendi i katërt dhe i pestë për dy pilotët e Ferrarit, të cilët ndonëse provuan deri në fund për të siguruar podiumin nuk ia dolën. Finlandezi Bottas ishte i vetmi që nuk arriti ta përfundonte garën.

E radhës do të jetë në fillimin e muajit të ardhshëm, në SHBA. Çmimi i madh i Miamit është programuar në datat 3-5 maj.