Cameron me dy lajme, mbështesim drejtësinë, investojmë në hekurudhën Tiranë-Prishtinë

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, në vizitën e shkurtër në Shqipëri vlerësoi rezultatet e drejtësisë së re, ndërsa kërkoi edhe trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjithashtu e konsideroi të rëndësishëm partneritetin në luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Në deklaratën e përbashkët për shtyp u zbulua lajmi se Britania do mbështesë ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Britania e Madhe do të mbështesë me fonde dhe ekspertizë ndërtimin e hekurudhës Durrës Prishtinë. Ishte ky lajmi kryesor me të cilin kryeministri Edi Rama e nisi deklaratën e përbashkët për shtyp të mbajtur dje me Sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron pas takimit kokë më kokë.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron deklaroi se Shqipëria duhet të çojë përpara me reformat, ndërsa shprehu gatishmëri se Mbretëria e Bashkuar do të ndihmojë të japë kontribut në sistemin gjyqësor.

“Kjo hekurudhë është një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajone e më gjerë duke pasur parasysh që së shpejti hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit.

Ky është një projekt që tejkalon interesin e dy vendeve tona dhe Mbretëria e Bashkua”, tha Rama. Fjalën e tij, Sekretari i Jashtëm të Britanisë së Madhe, e nisi me vlerësime për Shqipërinë të cilën e konsideroi një histori suksesi jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për rolin e saj në arenën ndërkombëtare.

“Është vërtet një kënaqësie  veçantë për mua që jam në Shqipëri. Një nga arsyet pse dëshiroja të vija dhe më vjen keq që është dashur kaq shumë kohë dhe që është një vizitë e shkurtër, por një nga ato arsye është që të festonim suksesin tuaj. Shqipëria është vërtetë një histori suksesi, nga aspekti ekonomik, sukses në NATO.

Ju gjithashtu në mënyrë të suksesshme keni bërë të pamundurën dhe një punë të shkëlqyer dhe një lidership shumë të madh në Këshillin e Sigurimit”, tha Cameron. Për shkak të agjendës së ngjeshur Cameron anuloi takimin me kreun e shtetit Bajram Begaj, por gjithsesi në atë vizitë të shkurtër vetëm 2-orëshe në Tiranë, sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar mesazhet i kishte të qarta.

Lexo edhe :  Ambasadori i BE: Shqipëria të linjëzohet me legjislacionin e Bashkimit Europian

Pa nguruar ta cilësojë të suksesshme punën e bërë deri më tani mes palëve, kërkoi vazhdimin e luftës së përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe. Sa i takon menaxhimit të flukseve të emigracionit Cameron tha se kur “Ballkani ia del mbanë, Europa ia del mbanë”.

“Jemi shumë të kënaqur me rezultatet e arritura, por operacioni ynë i përbashkët do të vazhdojë dhe gatishmëria në dekurajimin e flukseve të këtij trafiku do të jetë maksimale edhe në vazhdim”.

“Ka qenë një partneritet vërtet i mrekullueshëm, shumë pozitiv , shumë i arrirë dhe shpresoj të jetë shembull edhe për të tjerët, sepse në të gjithë Europën problemi i migracionit të parregullt është një problem që hasen të gjithë.

Në rastin e Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar ju keni treguar se jeni novator, dhe në saj të kësaj pune arrini rezultate të shkëlqyera”, deklaroi Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe. Partneriteti me Shqipërinë Cameron theksoi se është ndër më të frytshmit dhe më pozitiv për Mbretërinë e Bashkuar.

“Ajo që mund të them unë nga këndvështrimi britanik dhe flas këtu në emër të kryeministrit tonë, Rishi Sunak është se kjo ka qenë, është dhe do të jetë një nga partneritetet më të frytshme dhe më pozitive për ne. Për eksportet për shembull janë rritur me 20%.

Ne kemi projekte shumë emocionuese, si për shembull hekurudha që ju shpjeguat nga Prishtina në Durrës, që do të jetë shumë e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe për të gjithë rajonin”, tha ai. Ai vlerësoi edhe lidershipin e kryeministrit Rama.

“Për këtë dëshiroj t’ju falënderoj juve, për lidershipin tuaj. Jo vetëm sepse keni fituar më shumë zgjedhje ç’kam fituar unë dhe që vazhdoni në detyrë, por sepse keni dhënë një drejtim kaq të qartë për atë se ku dëshironi të arrijë Shqipëria dhe se ku duhet të jetë Shqipëria në sferën e NATO-s dhe të BE-së”, deklaroi Cameron.