Dritan Hila
Ka një sforcim disa vjeçar të punëtorëve të propagandës së rithemelimit për të justifikuar rënien gjithmonë e më tepër të forcës së PD dhe Berishës. Herë të vetëdijshëm dhe herë nuk e besojnë as vetë, shikojnë se si po tkurret çdo ditë PD, pavarësisht se problemet e Ramës në qeveri janë të tilla që do fuqizonin çdo opozitë
Përpiqen të gjejnë arsye tek kapja e institucioneve nga Rama, tek aleanca me banditë, tek trafiqet, tek oligarkët, a thua se këta nuk kanë qenë këtu. Të gjitha kanë qenë edhe në kohën kur në pushtet ishte Berisha dhe ai i kishte në dorë, por arsyet janë komplet të tjera.
Në vitin 2013 institucionet i kishte kapur edhe Berisha, pa përjashtim; gjyqësori dhe prokuroria ishin shtojca të Berishës; bandat faleshin tek Berisha dhe oligarkët ishin me Berishën që i krijoi, madje ende sot e kanë idhull dhe i çojnë taksën dhe xhelepin.
Arsyeja e vërtetë është që Berisha tashmë është i plakur dhe i vrarë moralisht. Është i plakur nga ana fizike pasi është 80 vjeç. Është i plakur në ide që reflektohet tek gjuha e tij me revolucione e përmbysje. Është i braktisur nga qytetet e mëdha dhe kjo jo për faj të Ramës por për faj të Berishës që erdhi nga fshati por fshatin nuk e nxori dot kurrë nga vetja dhe në një botë globale do ta kthejë këtë vend në një fshat të madh.
Është i bojkotuar nga ndërkombëtarët dhe të mendosh se mund të vish në pushtet pa pëlqimin e amerikanëve, britanikëve apo gjermanëve të cilët janë taksativë në izolimin e tij, i bie që nuk ka dalë nga fshati dhe mendon se fshati është bota.
Ekipi i tij është anonim dhe me mungesa të figurave të nivelit kombëtar. Berisha i vrau gjithë individualitetet në atë parti dhe tashmë në rreshtin e parë të protestave ka figura që nuk dinë çfarë të bëjnë nëse ai nuk i bie telefonit. I fundmi mit i tij, që ishte ai i ndershmërisë, e vrau SPAK, dhe ky është vetëm fillimi i dosjeve që do t’i hapen. Berisha nuk nxori mësimet që jep historia për ciklin e një udhëheqësi.
Mbase do që ta mbyllë duke u ndeshur me bajlozë, sepse plaku bëhet si fëmija, bajloz që në këtë rast është perandoria amerikane, por harroi se perandoritë nuk të japin kënaqësinë e dueleve por të bëjnë qesharak, siç e kanë bërë duke e mbyllur në katin e 8-të. Ndaj protestat po rrudhen çdo ditë e më shumë dhe kanë mbetur vetëm nostalgjikët.
PD është një parti që po vdes. Dhe sikurse në vdekjen e një njeriu askush nga të afërmit nuk do ta besojë, edhe nostalgjikët nuk e qasin mendimin se kjo parti po vdes bashkë me Berishën. Të tjerët janë ose hijenat që po presin të marrin trashëgiminë, ose shejtanët që tallen dhe i marrin paratë që ka nëpër xhepa.