Vitin që vjen qeveria e Shqipërisë do të angazhojë edhe tri koncesione të reja PPP në Korridorin Adriatiko-Jonian, të cilat do të ndërtohen nga privati kundrejt pagesës direkte në toll.
Përveç kësaj Shqipëria futet në vendet me çmimet më të larta të karburanteve në rang global.
Sipas të dhënave globale mbi çmimet e naftës, çmimi mesatar i naftës në mbarë botën është 1,18 dollarë amerikanë për litër, në Shqipëri ishte 1,89 dollarë amerikane. Të dhënat që i takojnë datës 28 tetor 2024 tregojnë se çmimi i naftës në Shqipëri është 60 për qind më shumë se mesatarja globale. Të dhënat tregojnë se Shqipëria renditet e treta në botë për çmimet e larta të naftës.
Vitin e kaluar buxheti i shtetit arkëtoi 19,5 miliardë lekë ose më shumë se 190 milionë euro nga taksat e qarkullimit mbi naftën. Kjo taksë që ka qëllim që të grumbullojë të ardhura që të mund të përballojnë mirëmbajtjen e rrugëve siguron arkëtim disa herë më shumë se nevojat.
Luigj Alijaj nga shoqata e Hidrokarbureve thotë se, Shqipëria takson naftën së paku 48 lekë për litër më shtrenjtë se Rajoni. Taksimi i lartë përveçse ul konkurueshmërinë frenon konsumin e produktit.
Nëse çmimi i naftës do të ishte më i ulët buxheti nuk do të humbiste nga taksat, pasi një pjesë e bizneseve dhe qytetarëve që furnizohen aktualisht në pikat kufitare të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës do të konsumonin në Shqipëri duke rritur qarkullimin e për rrjedhojë edhe të ardhurat buxhetore.
Shoqëria shqiptare nëpërmjet pagesave direkte dhe rishpërndarjes së buxhetit po paguan kosto të larta për rrugët. Vitin që vjen programi i “Transportit rrugor” financohet me 33 miliardë lekë, të cilat merren nga taksat e përgjithshme për te financuar infrastrukturën rrugore.
Financimet e larta të buxhetit, pagesat direkte në rrugë dhe çmimet e larta të naftës rrisin kostot e transportit të cilat janë jetike për zhvillimin e një shoqërie.
Sipas Global Petrol Prices çmimi mesatar i naftës në rang global aktualisht është afërisht 1,1 USD për litër, por ka dallime të konsiderueshme në këto çmime midis vendeve. Si rregull i përgjithshëm, vendet më të pasura kanë çmime më të larta, ndërsa vendet më të varfra dhe vendet që prodhojnë dhe eksportojnë naftë kanë çmime dukshëm më të ulëta.
Një përjashtim i dukshëm është SHBA-ja, e cila është një vend ekonomikisht i avancuar, por ka çmime të ulëta të gazit. Dhe nga ana tjetër Shqipëria si vend i varfër ka çmime të karburanteve për shkak të taksave të larta ndaj tyre.
Ndryshimet në çmime ndërmjet vendeve janë për shkak të taksave dhe subvencioneve të ndryshme për naftën.
Të gjitha vendet kanë akses në të njëjtat çmime të naftës në tregjet ndërkombëtare, por më pas vendosin taksa të ndryshme. Si rezultat, çmimi me pakicë i naftës është i ndryshëm, sipas Petrol Global Prices.
Shqipëria renditet në krye të listës për çmimet e larta të naftës, por nga ana tjetër ka te ardhura për frymë sipas fuqisë blerëse vetëm sa 34 % e mesatares së BE-së./ Revista Monitor / S,M