Në 11 maj qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend, deputetët. Këtë vit kryeqytetit iu shtua një mandat deputeti më shumë, nga 36 shkoi në 37 numri i tyre. Ky mandat iu hoq qarkut të Korçës. Ndryshimi i hartës elektorale në shpërndarjen e 140 mandateve lidhet me lëvizjet e brendshme të popullsisë nga një qark në një tjetër.
Pavarësisht kësaj, ka disa zona zgjedhore që kanë pasur ulje në numrin e banorëve si Elbasani apo Fieri, por vijojnë ta kenë të njëjtë numrin e mandateve parlamentare. Edhe në zgjedhjet e ardhshme përfaqësimi i Qarkut të Tiranës në Parlament do të ketë peshën më të madhe, sa të bësh bashkë 6 qarqe të tjera. Gara elektorale ka edhe risinë e formulës së ndryshuar të listave të hapura, ndërkohë që ka rënë pengesa e pragut kombëtar prej 1% të votave për kandidatët e pavarur.
Çdo vit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bazuar mbi të dhënat e popullsisë të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, merr numrin e shtetasve shqiptarë dhe e pjesëton atë me 140 mandate të Kuvendit, duke përcaktuar kështu numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit.
Më pas, për të ndarë sa mandate i takojnë 12 qarqeve, merret numri i banorëve të çdo qarku dhe pjesëtohet me numrin mesatar që përftohet dhe përcaktohet sa mandate do të prodhojë një qark. Çdo zonë zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi. Në rast se në përfundim të veprimit të kryer, një apo më shumë mandate mbeten pa u shpërndarë, ato u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore më të madhe të përftuar nga pjesëtimi. Shpërndarja e mandateve të mbetura kryhet në rend zbritës, duke filluar nga zona me presjen dhjetore më të madhe. Në rast se presja dhjetore e dy apo më shumë zonave është e njëjtë, mandati i fundit i caktohet asaj zone që ka numrin më të madh të mbetur të shtetasve që nuk kanë prodhuar mandat të plotë.
Marrim si shembull qarkun e Dibrës. Numri i shtetasve shqiptarë të regjistruar në rang vendi është 4,627,824, i cili pjesëtohet me 140 mandate dhe përftohet shifra 33,056. Marrim numrin e banorëve të Dibrës, 170,488 dhe e pjesëtojmë me 33,056. Përftohet shifra 5 prejse 158, që do të thotë Dibrës i takojnë 5 mandate.
Tirana dhe Korça pësuan luhatje të mandateve për këtë vit. Kryeqyteti fitoi një mandat më shumë, ndërsa qarku i juglindjes e humbi një të tillë.
Ndër vite, kryeqyteti ka pasur vetëm tendencë rritëse sa i takon numrit të mandateve. Nga viti 2009 deri në 2025, Tirana nga 32 ulëse në Kuvend deri më tani ka shkuar në 37 të tilla. Shtim të mandateve ka pasur edhe qyteti bregdetar, Durrësi, ku në 2009 kishte 13 mandate dhe në zgjedhjet e 2013, për shkak të rritjes së popullsisë në atë qark, numri i mandateve shkoi në 14, duke mos ndryshuar më.
Fieri, Elbasani, Shkodra dhe Lezha vijojnë të mbajnë po të njëjtin numër mandatesh nga viti 2009 deri në 2025, ndonëse vërehet nga shifrat që numri i popullsisë në këto qarqe është ulur. Nëse do të ndalemi në Gjirokastër, Dibër, Kukës apo Berat, numrat e përfaqësuesve të qytetarëve në parlament kanë ardhur në ulje.
Nëse arenën parlamentare do ta ndanim në përqindje, në zgjedhjet e vitit 2025, i vetëm qarku Tiranë zotëron 26% të vendeve në parlament, ose sa të bësh bashkë 6 qarqe si Korça, Lezha, Berati, Dibra, Gjirokastra dhe Kukësi. Veriorët zotërojnë në Kuvend vetëm 19% të peshës parlamentare, duke dërguar deputetë nga qarku i Shkodrës, Lezhës, Dibrës apo Kukësit. Pesë qarqet e jugut zotërojnë rreth dyfishin e tyre, 35%. Tri qarqet e “Shqipërisë së Mesme”, Tirana, Durrësi dhe Elbasani do të kenë 46% të vendeve në parlamentin e Shqipërisë.
Në verë të 2024, PD dhe PS në marrëveshje me njëra-tjetrën vendosën të ndryshojnë formulën e zgjedhjes preferenciale të kandidatëve, me pretendimin se i hapën listat akoma më shumë, duke lënë në duart e kryetarëve vetëm 1/3 e emrave.
Zbatimi i formulës në praktikë në fakt tregon të kundërtën. Marrim si shembull Tiranën, ku në 2025 do të luftohet për 37 mandate deputetësh. Para se të kalojmë te lista e hapur, duhet të eksaurohen 12 emrat e përzgjedhur nga kryetari, ose 1/3 e listës. Përkthyer në rezultatin e PS të vitit 2021 për Tiranën, kur mori 18 mandate, do të thotë që vetëm 6 deputetë do të dilnin nga listat preferenciale.
Kjo marrëveshje u kundërshtua nga partitë e vogla, të cilat kanë ndërmarrë hapa ligjorë në gjykatën kushtetuese.
Ndër vite ka pasur kandidatë për deputetë që nuk kanë zgjedhur të përfaqësohen nga asnjë parti, por të dalin të pavarur. Ata janë përballur me një kusht: për të shkuar në parlament, duhet të kalonin një përqindje të votave në rang kombëtar që për vite me radhë ka qenë i ndryshëm. Në zgjedhjet e 2021 ishte 1%, por sipas gjykatës kushtetuese kjo pengesë ishte antikushtetuese, që do të thotë se këtë vit zgjedhor kandidatët e pavarur nuk e kanë kusht pragun. Mjafton që ata të marrin vota sa për të fituar një mandat, në qarkun ku konkurrojnë. Për partitë e reja, apo ato me përqendrim rajonal, ky kusht vijon të mbetet në fuqi. Gara luhet brenda një qarku, por pengesa është kombëtare.
Pavarësisht sistemit, listës apo mënyrës së shpërndarjes së mandateve, ajo që ka rëndësi për interesin publik, është një parlament që garanton demokraci, përgjegjshmëri dhe llogaridhënie për t’u shërbyer qytetarëve. Një aspekt që shpesh duket se harrohet./ S,M