RËNIA E DIKTATORIT!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mitro Çela

-20 shkurt 1991-
E hënë, 18 shkurt 1991.
Në zyrën e Berishës kishte nisur një mbledhje e Komisionit Nismëtar të PD-së.
Hyri Azem Hajdari: “ Studentët e pedagogët mbyllën derën e pallatit të kulturës në Qytetin e Studentëve. Janë future në grevë urie. Ju vazhdoni mbledhje. Une do të shkoj tek studentët!”
Dy orë më vonë u ngjita në “Qytetin e Studentëve”. Gjallëri e madhe. Veç studentëve kishte edhe qytetarë. Një radhë e gjatë. Kishte kërkesa për vetëngujim.
Çudia më e madhe e këtij fundshekulli! Ndoshta e paparë. Sakrificë 723 jetë të rinjsh! Dhe përse? Për të hequr emrin e diktatorit nga universiteti?!
Ora 22:00.
Bie telefoni…Alo…Kemi mbledhjen e Komisionit… Ju presim…
Po pse? Partitë politike kishin kërkuar një takim me Presidentin. Berisha, Azemi, Eduardi dhe Preçi ishin nisur që në ora 21:00.
Po kalonte mesnata. Disa humbën durimin dhe u larguan për në shtëpi. Unë me Frrok Çupin, kryeredaktorin e “RD”-së, vendosëm të presim tek dera e presidiumit.
U hap porta. Takuam Eduart Selamin:
-Nuk ka perëndi që e kupton Ramiz Alinë! Vetë e pranoi në fillim idenë e një referendumi për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti. Por e dini si e përfundoi takimin?
Nuk ka bazë ligjore për një veprim të tillë?!
U vendos të shkonim për të biseduar me përfaqësinë e studentëve dhe të pedagogëve.
Ndërkohë ora kishte arritur 02:00.
Për shumë kohë më mbeti e regjistruar në mendjen time pamja e koordinatorëve, e shkallëve dhe sallave, ku kishin zënë vend studentët.
Shumica flinin përtokë, duke shtruar në çimento nga një batanie.
Disa rrinin ende mbi karrige. Të tjerë luanin me letra.
U futëm në një dhomë të veçantë. U ulëm.
Mes nesh ishte Ylli Vejsiu, Përparim Dervishi, Blendi Goxhe, Ridvan Peshkëpia.
Për disa çaste ra qetësia. Një qetësi mbytëse.
Përfaqësuesit e studentëve dhe të pedagogëve edhe pse të lodhur e të cfilitur edhe pse të pagjumë, mendjen e kishin të kthjellët. Të gjithë kishin një mendim: “
“Nuk është koha për kompromise! Nuk dalim nga ngujimi jonë pa lexuar vendimin e qeverisë: Universitetit të Tiranës t’i hiqet emri i Enver Hoxhës! Ky është postulati i studentëve. Çdo alternativë tjetër është e pavlefshme”.
U larguam. tek dera takova djalin e motrës, studentin e arteve Artjan Myrtezai!
– E mor dajë! Mos doni të na shisni?!…
E martë, 19 shkurt.
Ora 23:00.
Bie dera…”Ju presin në selinë e Partisë Demokratike”.
Nga ora 21:00 përsëri Presidenti në tavolinën e rrumbullaktë me përfaqësuesit e partive.
Orë të tëra bisedimesh. Orë të tëra duke pritur! Shumica ishin skeptikë. Por përsëri kishim një fije shprese: jeta e të rinjve vlente më shumë se sa idiomat politike!
Ora 01:30.
Në sallë hynë të dërguarit tanë. Dukeshin të lodhur. Të dërmuar. E mori fjalën Sali Berisha:
-E çuditshme! Ramiz Alia mendon ta zgjidhë problemin me një formulë që ka për autorësi ministrin e Arsimit, Skënder Gjinushi!
Edhe pse kemi të bëjmë me një formulë politike jashtë realitetit, nuk mendoj të bëhemi ne sebep si parti për ta hedhur poshtë.
(Ishte ky mendim i të gjithëve).
Nuk do të ishte keq të shkojmë tek studentët së bashku me Skënder Gjinushin, i cili po na pret përjashta.
Ora 02:00.
Përsëri midis përfaqësuesve të studentëve. Biseda ishte e ashpër. Studentët ishin të acaruar. U lexua formula. Universiteti do të ndahej në katër pjesë. Asnjë universitet i ri nuk do të mbante emrin e Enver Hoxhës. Do të nënshkruhej një kontratë midis përfaqësuesve të studentëve dhe ministrit të Arsimit.
Jo. Jo. Dhe Jo! Pa lëshuar një deklaratë qeveria ku të shkruajë se ka vendosur t’i hiqet emri i Enver Hoxhës universitetit të Tiranës, ne nuk heqim dorë nga greva e urisë, thanë studentët.
Folën disa anëtarë të Komisionit Ndërtimtar të Partisë Demokratike. Askush nuk u bind. Më në fund u vendos:
– Përfaqësuesit e Partisë Demokratike le të largohen. Do të bisedojmë vetëm me ministrin e Arsimit.
Duke zbritur sallën, ndërsa gjarpëronim midis këmbëve të studentëve që flinin në çimenton e ftohtë, në errësirë u dëgjua një zë:
-Këta janë mjeshtra: E shndëruan politikën në ekuacione e formula matematike” Lum kombi që e ka ministrin e Arsimit profesor matematike.
E mërkurë 20 shkurt.
Që në mëngjes herët në Tiranë u dha kushtrimi. Mijëra punëtorë, nxënës, pensionistë, fëmijë, studentë morën rrugën drejt “Sheshit të Demokracisë”. Përmasat e sheshit nuk mund të mbanin brenda një kryeqytet të tërë.
Në shërbim të popullit u vunë taracat, dritaret e godinave. Ballkoni i një godine u shndërrua në tribunë. Folën shumë. Një zë i kthjellët u shpërnda në eter.
Kush flet? Ç’është ky zë i njohur. Pa dëgjoni:
Po flet Rajmonda Bulku!
Po çfarë tha se nuk e dëgjova mirë?
U bën thirrje grave, nënave tiranase që të shkojnë e të manifestojnë përpara godinave të qeverisë e të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Turma u elektrizua dhe u derdh, tatëpjetë drejt rrugës së Elbasanit…
Ndërkohë turma mbushi sheshin “Skënderbe”.
U ngjita në verandën e hotel “Tirana”. Përpara shtrihej sheshi, si një ekran gjigand televizioni.
Turma që shtyhej. Policë që mbronin. Ushtarë me qen për dore që vraponin.
Dy makina që hidhnin ujë mbi turma…Krisma. Automatikë…Një pjesë e turmës ngjiti shkallët drejt bustit…
Policët I shtynë…Dy tre ngjitje e zbrite dhe busti u rrethua nga turma…
Një copë liti! Sikur doli nga dheu!
Bëri një hark dhe përfundoi në qafë te diktatorit…
Ora 14:05.
Disa lëkundje dhe busti i Enver Hoxhës u rrëzua për tokë.
Qëndroi ai në sheshin Skënderbej vetëm 858 ditë.
Nuk e ruajtën dot bustin as policët, as sampistët, as dekreti special për mbrojtjen e monumenteve…
Trupi I diktatorit në bronc u “pushtua” nga turma.
U gjet një makinë.
E tërhoqi zvarr.
Drejt rrugës së “Kavajës”…Aty ishte selia e PD.
Turma ecte. Busti zvarritej…Qëndroi para selisë së Partisë Demokratike, karshi selisë së kishës Ordhodokse…
Pa kuptuar “mbinë” ushtarë të gardës…
Qëllonin në ajër…
Agim Buxheli filmonte, duke qëndruar mbi murin rrethues së godinës…
Turma u largua…Busti mbeti në mes të rrugës…U afrva…Trupit I mungonte koka…
Koka në Stamboll, trupi në Janinë…Të vranë Ali Pasha, o Ali të shtrinë…
Me motivet e kësaj kënge, mora rrugën tek studentët e ngujuar…
…Në hyrje të godinës, koka prej bronxi e diktatorit…
Rreth qafës një litar. Përpjekje për ta ngjitur kokën në katin e dytë…
Shumë bronx I derdhur. I rëndë…
Në dritare doli Shinasi Rama:
Nuk e vlen që koka e diktaorit të ngjitet lart!
Uleni…Dhe bronxi u përplas në çimento…
Lëshojë një tingull të zgjatur…
Rënkimi I fundit I Enveri!
Ora 21:00.
Studentët janë larguar nga kinoklubi i grevës së urisë.
Në salla, në korridore ka rënë qetësi…
Në hyrje të godinës një kokë gjigante…
Në vetmi…Mes mbetjeve të grevës…
Botur në “RD” më 22 shkurt 1991.

Të fundit

Aksident i rëndë në vend/ Dy makina përplasen ‘kokë më kokë’, detajet e para

Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Dragostunjë në Librazhd, ku mësohet se kanë mbetur të plagosur...

Integrimi i Shqipërisë, mbahet në 18 Mars Konferenca e katërt Ndërqeveritare me BE-në

Shqipëria po vijon avancimin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, teksa më 18 mars do të zhvillohet Konferenca e Katërt Ndërqeveritare me BE-në....

Trump për Zelenskyn: Nuk është aq i rëndësishëm sa për të qenë pjesë e takimeve

Presidenti amerikan, Donald Trump nuk duket se po tërhiqet nga kritikat e tij ndaj homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky. Në një intervistë në Fox...

Dita e Gjuhës Amtare, gjuhëtari: Shqipja po ndotet nga fjalët e huaja të panevojshme

Përdorimi i fjalëve të huaja të panevojshme, gabimet drejtshkrimore dhe shtrembërimet sintaksore janë disa nga sfidat më të mëdha me te cilat po përballet...

Parashutë në BBVIP4 për Eglin dhe Gjestin, ja çfarë mesazhi morën banorët!

Një moment emocionues dhe i paharrueshëm ka ndodhur në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, ku Gjesti dhe Egli morën një surprizë të jashtëzakonshme...

Lajme të tjera

Web TV