Nga Fatos Çoçoli
Më 22 shkurt 2025, në takimin me emigrantët në Parma të Italisë, partia kryesore opozitare në vend premtoi që në 3 muajt e parë të qeverisjes së saj, do të vendoste minimumin jetik zyrtar, do të rriste rrogën mesatare në 1200 euro në muaj dhe pagën minimale me 25 përqind, në 50 mijë lekë të reja në muaj. Pa dyshim që angazhime të tilla, nëse do të ishte e mundur të realizoheshin, do të ishin të mirëpritura nga cilido. Mirëpo problemi i madh që ka ekonomia dhe shoqëria jonë me premtimet zgjedhore ekonomike nga partitë tona politike, është se si t’i bëjmë ato të përgjegjshme që të jenë me këmbë në tokë me ato qe premtojnë dhe që zotimet e tyre të mos i ngjajnë një liste dëshirash. Që brenda tre muajve të parë të qeverisjes të premtosh vendosjen e minimumit jetik zyrtar, i cili, sipas studimit të Avokatit të Popullit, është të paktën 200 euro në muaj, do të thotë se në buxhetin e Shtetit duhet të parashikosh për seicilin vit të qeverisjes tëndë të paktën rreth 1 miliardë euro më shumë. A mund ta bëjmë këtë? A është mision i pamundur?. Jo, për fat të keq. Po pse? Sepse janë me qindra mijëra persona në ndihmë ekonomike, si dhe që marrin pension social ose minimal në fshat, apo në qytet kanë një pension nën 20 mijë lekë në muaj. Janë plot 600 mijë të tillë! Me vendosjen e minimumit jetik zyrtar, menjëherë të 524 mijë pensionistëve me pension nën 20 mijë lekë dhe 60 mijë personave në asistencë sociale 9 mijë lekë, duhet t’ua çosh 200 euro. Dhe, po të përcaktosh minimumin jetik 200 euro, duhet po ashtu që menjëherë të dyfishosh ndihmën ekonomike dhe pensionin minimal, si dhe atë në fshat. Për të siguruar pastaj për katër vite rradhazi sa je në qeverisje, afro 1 miliardë euro çdo vit, të zbatimit të premtimit të parë, duhet që, ose të rritësh ndjeshëm të gjitha taksat me 15 përqind, ose të thellosh borxhin publik, duke marrë eurobonde pas eurobondesh. Rrugë të tretë nuk ka. Kjo, pasi edhe lufta më e efektshme ndaj korrupsionit dhe abuzimit me fondet buxhetore kërkon kohë të sjellë frytet e saj. Ndërkohë, në rast se shpresat për mbajtjen e premtimeve do t’i varnim në rritjen ekonomike të vendit, që premtimet e sotme ekonomike të Partisë Demokratike të mbahen që të gjitha, do të duhej që Shqipëria të kishte një rritje ekonomike vjetore 38 përqind për katër vjet rrjesht! Në fakt, nuk ka asnjë mundësi praktike ta kesh këtë rritje ekonomike as edhe për një muaj. Nga ana tjetër, ekonomia jone është në 80 përqind të saj private dhe qeveria ka pak në dorë të rrisë pagën mesatare në rang vendi në 3 muaj, madje edhe brenda një viti, nga 766 euro që është tani, në 1200 euro, ose 56 përqind më shumë. Kjo, edhe sikur në tre muaj ta bëjë pagën mesatare në shtet 2 mijë euro! Gjë që e ka praktikisht të pamundur, sado të dojë ta bëjë. E njëjta gjë mund të thuhet për pagën minimale, e cila është sot 40 mijë lekë në muaj dhe në 75 përqind merret nga punonjës në sektorin privat, në bujqësi, fason, etj. Partia Demokratike premton për fermerët subvencion nga shteti për çdo kokë bagëti dhe çdo njësi prodhimi. Sigurisht që një masë e tillë do të mund të ulte kostot e prodhimit ndjeshëm në bujqësi. Mirëpo subvencioni për njësi prodhimi nuk pranohet nga Bashkimi Evropian, për shkak se deformon konkurrencën mes vendeve anëtare. Në rast se do ta merrnim përsipër këtë lloja ndihme direkte, Kapitujt 11 dhe 12 të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që shpresojmë t’i hapim sa më shpejt, nuk do të hapeshin kurrë. Nga ana tjetër, një politikë e tillë bujqësore do të na pengonte të hapnim për Shqipërinë Programin IPARD 3 dhe nëndë masat e tij, me mundësinë, që me ndihmën e këtij programi, të shtonim investimet në bujqësinë tonë me të paktën 280 milionë euro për katërvjeçarin 2025-2028. Është po ashtu, shumë e vështirë, në mos e pamundur, të ulësh çmimin e naftës në vend, për ta sjellë poshtë mesatares së rajonit, sikurse është premtimi zgjedhor i PD-së, pasi menjëherë buxhetit të Shtetit do t’i mungonin 380 milionë euro në vit, që vjel nga një pjesë shtatë taksave mbi naftën. Kjo, pasi e gjithë nafta që përdorin automjetet tona vjen nga importi dhe nafta që nxirret në Shqipëri shkon e gjitha për eksport. Sigurisht që mund të ulnim çmimin e naftës me 20 përqind, duke hequr tre nga shtatë taksat e sotme mbi të, por do të kishim afro 400 milionë euro më pak në Buxhetin e Shtetit. Pra, më pak para për shëndetësinë, arsimin dhe pensionet. Partitë tona politike e kanë për detyrë dhe duhet të bëjnë premtime të forta ekonomike, në sprovë për të bindur qytetarët në vullnetin e tyre për t’ua përmirësuar jetën, por jo premtime pa asnjë bazë të arësyeshme ekonomike. E ardhmja premtuese e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës duket e qartë që tani. Që tani ka nisur prenotimi i fluturimeve për në dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës për vitin 2025, nga agjencitë turistike lokale dhe ndërkombëtare. Agjencitë kanë filluar të prenotojnë avionët çartër të parë, sidomos për fluturimet transkontinentale. Fluturimet drejt SHBA-ve dhe Kanadasë, për shembull, mundësohen nga pista e gjatë 3.2 km e Aeroportit të Vlorës, i cili mund të presë avionë transoqeanikë. Në kantierin e aeroportit po ecet me ritëm të mirë drejt fazave finale të ndërtimit. Është drejt përfundimit pista e aeroportit, ndër më të gjatat në Ballkan. Po ashtu drejt përfundimit janë kulla e kontrollit, terminali prej 25 mijë metër katrorë, ku do të përpunohen pasagjerët, me kapacitet për pritjen e deri në 3 milionë pasagjerëve në vit. Po plotësohen gradualisht edhe të gjitha pjesët e tjera të infrastrukturës aeroportuale, si vendet ku do të punojë policia, doganat, zjarrfikësit, etj. Në prill 2025 mbyllet faza e publikimit të aeroportit sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikqyrjen e operatorit të aeroportit, i cili është Aeroporti Ndërkombëtar i Mynihut. Pasja si mbikqyrës e autoritetit aeroportual të Mynihut i jep emër dhe prestigj Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës që në fillimet e tij. Një aeroport i ri ndërkombëtar në një rajon të caktuar jo kryeqytet i atij vendi, kontribuon zakonisht, duke e shtuar me 8-10 përqind vëllimin e ekonomisë lokale. Duhet të dimë se ekonomia e rajonit të Vlorës, duke përfshirë edhe Sarandën, kontribuon me një të dhjetën në prodhimin kombëtar, i cili sot kap vlerën e mbi 23 miliardë eurove në vit. Duke marrë shifrën më të ulët të kontributit të një aeroporti ndërkombëtar rajonal, si Aeroporti i Vlorës, pra 8 përqind, i bie që qarkut Vlorë dhe vlonjatëve t’u shtohen si aktivitet ekonomik edhe 18.4 milionë euro gjatë vitit 2025. Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës pritet ta përfundojë ndërtimin fizik të tij brenda afateve të projektit dhe kontratës së lidhur. Kjo është shumë e rëndësishme. Në periudhën nga janari e deri në prill 2025, aeroporti ka fazën e çertifikimit për fluturimet ndërkombëtare të tij. Në vitin e parë të veprimtarisë, që është pikërisht viti i ardhshëm, Aeroporti i Vlorës do të ketë pasagjerë më shumë nga sa ishte parashikuar në studimin e tij të leverdisshmërisë. Ky studim fliste për vetëm 330 mijë pasagjerë për vitin e parë të aktivitetit, pra vitin 2025. Me ritmin e rritjes së turizmit në Shqipëri dhe rekordet që po thyen Rinasi në numër pasagjerësh dhe linjash fluturimi, por edhe me të dhënat e para për prenotimet e fluturimeve për në dhe nga Vlora, veprimtarët turistikë të vendit shprehen të sigurtë se Aeroporti i Vlorës mund të arrijë të presë për vitin 2025 më shumë se 1 milion pasagjerë. Aeroporti do të jetë i mbuluar me panele diellore, duke u marrë masa që të mos krijohen probleme me reflektimet e paneleve, gjatë uljes e ngritjes së avionëve në aeroport. Panelet do të prodhojnë 5.2 megavat energji të rinovueshme, e cila do të shkojë e gjitha për nevojat e aeroportit, duke ulur ndjeshem kostot e operimit te tij dhe tarifat portuale. Pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës do të ketë gjerësi 60 metra. Aeroporti është i kategorisë 4E, një nga kategoritë më të larta në Ballkan. Duke qenë një aeroport rajonal në jug të vendit, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës mund të vendosë lidhje dhe linja me aeroportet fqinje në Veri të Greqisë dhe në Jug të Italisë, si dhe përtej Ballkanit. Me potencialin e lartë të fluturimeve që në vitin e parë të veprimtarisë, me siguri që të dyja kompanitë që fluturojnë me kosto të ulët, kompania Wizz Air dhe kompania Rayan Air, do të operojnë, krahas Rinasit, edhe në Vlorë. Prania e këtyre kompanive ajrore të fluturimeve me kosto të ulët edhe në Vlorë garanton bileta të përballueshme dhe me oferta tërheqëse edhe në Aeroportin e Vlorës. Ai ndodhet i vendosur në Akërni, në një zonë strategjike ajrore, shumë të përshtatshme, e cila lejon fluturime nga të gjitha anët e horizontit. Akernia ndodhet në një terren të ulët bregdetar, 2 metra nën nivelin e detit. Prandaj dhe është bërë një punë e madhe inxhinierike nga kompanitë ndërtuese, me ngritje dherash, duke e ngritur pistën dhe aeroportin mbi nivelin e detit. Pista për uljen dhe ngritjen e avionëve po ndërtohet 2.6 metra më e lartë se niveli i detit dhe aeroporti 4 metra më i lartë. Tani që ndërtimi fizik po shkon drejt fundit, do të nisë së shpejti edhe rekrutimi i punonjësve të Aeroportit, ndërkohë që Aviacioni Civil i vendit po punon për hapjen e një akademie për profesionistë të fluturimeve ajrore civile, në bashkëpunim me Organizaten e Transportit Ajror Civil Nderkombetar ICAO./ S,M