Teksa na ndajnë vetëm pak ditë nga afati përfundimtar për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ, në kampin demokrat, priten me interes emrat që do të përzgjidhen nga kryesia e PD.
Gazetari Osman Stafa, në një raportim live thotë se procesi i Primarëve konsiderohet kualifikues dhe kryesia do të shqyrtojë listën e kandidatëve për deputetë që kapërcyen pragun e votave në çdo qark, gjatë këtij procesi.
“Do të jetë kryesia e PD dhe kryetari Sali Berisha që do të përzgjedhin emrat e kandidatëve që do të jenë në garën e 11 majit. Ndërsa në listën e mbyllur do të jenë të gjithë drejtuesit politik të PD, të cilët janë një grup deputetësh me mandat të sigurt por që do të duhet të mbledhin vota për PD, për koalicionin opozitar”, tha gazetari Stafa.
Kryesia e PD pritet të mblidhet në ditët në vijim për të marrë vendimet përfundimtare, ndërsa afati përfundimtar për dorëzimin e listave është 12 marsi./ S,M