Dekretimi brenda pak javësh nga Presidenti italian, Sergio Mattarella, është hapi i fundit për njohjen e pensioneve për shtetasit e dy vendeve. Nga nisma pritet të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë dhe rreth 4 mijë italianë. Zv.ministrja e Ekonomisë, Olta Manjani, tregon procedurën që duhet të kryejnë qytetarët e të dyja vendeve për të përfituar nga kjo marrëveshje.
“Një ndër nenet kryesore të marrëveshjes me Italinë është eksportimi i benefiteve, përfitimet e siguruara në secilin shtet mund të eksportohen në shtetin ku ka rezidencën. Një shtetas shqiptar që jeton dhe punon në Itali mund ta bëjë aplikimin për lidhjen e pensionit në shtetin italian më pas shkëmbimi i të dhënave do të bëhet në mënyrë automatike ndërmjet institucioneve zbatuese, që në rastin e Shqipërisë është Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe në Itali është IMS italian. Kjo bëhet për të ulur koston, pasi nuk do të duhet përkthim noterizim dokumentesh, pasi këto njihen në mënyrë automatike nga institucionet ligjzbatuese”, – tha Olta Manjani zv.ministrja e Ekonomisë.
Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë edhe ata qytetarë që e kanë mbushur moshën e daljes në pension përpara disa vitesh, por janë përjashtuar nga marrja e pensionit për shkak të mosplotësimit të viteve të kontributeve, atij minimal prej 15 vitesh në vendin tonë dhe 20 vitesh në Itali. “Në shtetin shqiptar vitet minimale për të përfituar pension janë 15, Italia e ka 20. Nëse një shtetas shqiptar do të kishte 14 vite punë këtu, apo 19 vite punë në Itali, pavarësisht se në total do të kishte 33 vite punë nuk do të rrinte dot të përfitonte as pension në Shqipëri, as në Itali. Në këtë rast nga 33 vite, 14 vite përfitohen nga skema shqiptare dhe 19 nga ajo italiane”, – tha Olta Manjani.
MARRËVESHJET PËR PENSIONE
Shqipëria është një vend me emigracion të lartë në shumë vende të botës. Më herët janë nënshkruar marrëveshje për njohjen e pensioneve me disa shtete si: Itali, Austri, Turqi, Kanada, Çeki, Zvicër, Gjermani, Kanada, Hungari, Belgjikë, Maqedoni, Luksemburg dhe Kosovë.
Më saktësisht janë finalizuar 12 të tilla, me rëndësi për t’u theksuar marrëveshjet me vendet e Bashkimit Europian, ku ndodhet edhe pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë. Ndërkohë që janë drejt finalizimit katër marrëveshje të tjera, kryesisht me vendet e Ballkanit: Bullgari, Rumani, Kroaci dhe Mal i Zi. Por ka raste si Greqia, ku ndodhet edhe numri më i madh i emigrantëve shqiptarë, me të cilën ne nuk kemi ende një marrëveshje për pensionet. Pavarësisht diskutimeve të hapura, me këtë shtet nuk ka ende dritë në fund të tunelit. Pas Italisë, një rëndësi e veçantë po i kushtohet edhe njohjes së pensioneve me shtetin grek, ku deri tani sipas zëvendësministres, takimet teknike kanë rezultuar me sukses. “Vëmendja e marrëveshjeve të tilla është e përqendruar në shtete ku ka prani të madhe të shqiptarëve. Greqia është një prej tyre, ku kemi bërë dy takime në nivel teknik dhe në këto takime frytdhënëse ka rezultuar që skemat tona janë shumë të përputhshme”, – tha Olta Manjani.
Pas Italisë, pritet të hyjë në fuqi marrëveshja me Malin e zi, Kroacinë, Bullgarinë, Poloninë dhe Serbinë. Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje për njohjen e pensioneve me 13 vende të ndryshme. Gjithashtu, po negociohet me Serbinë dhe Poloninë, ndërkohë që negociatat për marrëveshjet e pensioneve pritet të nisin edhe me Danimarkën, Spanjën, Slloveninë dhe Moldavinë, pavarësisht se këto shtete kanë një peshë shumë më të vogël për sa i përket numrit të emigrantëve shqiptarë./ S,M