Sali Berisha do të heqë doganën, por jo “non gratën”. Dy ditë pasi doli për herë të parë kundër idhullit të tij, Donald Trump, kryedemokrati, paralajmëroi reciprocitet për tarifat tregtare me Shba-në.
Mirëpo Berisha harron se për ta arritur këtë, përpara se te negociojë, sic thotë ai me shefin e shtëpisë së bardhë, duhet të munde Edi Ramën më 11 maj.
“SHBA kanë vendosur një sistem tarifash sepse të gjithë kanë pasur tarifa ndaj tyre.Kjo është e vërteta. Ta mësoni të vërtetën. Të gjithë këta që qahen sot, kanë pasur tarifa. Shqipëria nuk do ketë asnjë tarifë për mallrat amerikane dhe jam i bindur se kjo gjë do ndodhë edhe me qeverinë e SHBA pasi t’i heqim ne”, ka thënë Berisha.
Pas Ilir Metës, i cili prej muajsh ndodhet në qeli, Berishës iu ndalua edhe një tjetër aleat. Adriatik Alimadhi, kryetari I Ballit Kombëtar u procedua penalisht, veprim të cilin kryedemokrati, e cilësoi të diktuar politikisht.
“Nga ky regjim që në vitin elektoral vendos të arrestojë liderët e tre partive kryesore opozitare dhe më së fundmi mbrëmë, në mënyrën më brutale, më staliniste, arreston kryetarin e një partie tradicionale, të Ballit Kombëtar, në lokalin e tij, vetëm pse u kërkoi, i pyeti: çfarë doni, pse keni ardhur, një bande me reformë.Nga ky regjim që nuk njeh ligj, nuk njeh Kushtetutë”, është shprehur ish-kryeministri Berisha.
Vetë Adriatik Alimadhi nuk është kandidat në listat për deputet të koalicionit të Partisë Demokratike, por partinë e tij, Balli Kombëtar, Sali Berisha nuk e ka lënë pa shpërblyer.
Ai ka vendosur nën siglen e partisë së Alimadhit, kreun e forumit rinor të PD, Besart Xhaferri, me qëllim përfitimin e fondeve nga KQZ për katër vitet e ardhshme./e.t