Përgatiti: Leonard Veizi
Ritmet e muzikës pop, që vazhdonin të kumbonin në veshët e gjithkujt që kishte ndjekur nga afër koncertin madhështor, papritur u tjetërsuan. Në veshët e tyre nuk kish më nota të gazmore e plot harmoni, por ulërima ngjethëse dhe thirrje për ndihmë…
…Ajo mbetet një plagë e thellë në zemrën e një qyteti dhe një brezi të ri, dhe po aq do të mbetet gjatë në kujtesën kolektive të Britanisë së Madhe si një natë tragjedie, Ishte 22 Maji i vitit 2017. Tronditjeje dhe dhimbjeje e pamasë. Ajo që duhej të ishte një mbrëmje gëzimi dhe entuziazmi për qindra fëmijë, adoleshentë dhe familjet e tyre, përfundoi në një nga sulmet më të rënda terroriste në historinë moderne të Ishullit.
Ngjarja
Mbrëmjen e 22 majit 2017, këngëtarja e famshme amerikane, Ariana Grande, sapo kishte mbaruar koncertin e saj kur, në orën 22:30, një bombë hpërtheu nga një çantë shpine. Atentatori vetëvrasës aktivizoi bombën e mbushur me thumba dhe pjesë metalike, – për të maksimizuar dëmtimet, – në zonën e daljes së publikut, afër hollit ku njerëzit u mblidhën për t’u larguar nga arena. Shpërthimi ndodhi në çastin më të ndjeshëm — kur turma po lëvizte me intensitet – duke shkaktuar një bilanc tragjik. Mbetën të vdekur 22 viktima dhe të paktën 116 të tjerë morën plagë që rrëzikonin jetët e tyre.
Nga e njëjta Qendër atentatori, kishte blerë një çantë shpine të premten, më 19 maj 2017, për ta mbushur me eksplozivë të improvizuar.
Ndër yjet e tjerë që performuan në maj 2017 ishte Céline Dion. Por asnjë interpretues tjetër nuk kishte tërheqjen universale popullore të Ariana Grande. Pas sulmit vetëvrasës me bombë, identifikimi i ngjarjes me një superyll global e përforcoi vëmendjen në rrjetet sociale dhe mbulimin në media në përgjithësi.
Atentatori
Autori i sulmit ishte Salman Abedi, një 22-vjeçar me origjinë libiane, lindur dhe rritur në Manchester. Hetuesit britanikë zbuluan se Abedi kishte kaluar disa kohë në Libi në vitin 2011, periudhë gjatë së cilës besohet se ishte ekspozuar ndaj ideologjive radikale. Ai ishte i njohur për shërbimet e sigurisë britanike për qëndrime ekstreme, por nuk ishte nën hetim aktiv.
Më pas doli se vëllai i tij, Hashem Abedi, kishte ndihmuar në planifikimin e sulmit dhe më vonë u dënua me burgim të përjetshëm. Hetimet zbuluan gjithashtu se disa anëtarë të rrethit të tyre social ishin në dijeni të tendencave të rrezikshme të Abedit, por nuk kishin njoftuar autoritetet.
Kaosi
Dëshmitarët okularë përshkruan një skenë të mbushur me britma, pluhur, panik dhe lot. “Dëgjuam një zhurmë të tmerrshme, një dritë të bardhë të fortë, dhe më pas gjithçka u mbush me thirrje për ndihmë,” tregonte një nga prindërit që kishte ardhur për të marrë vajzën e tij pas koncertit. Në atë moment, argëtimi u kthye në tmerr, dhe një arenë koncertesh në një skenë lufte.
Shumë nga viktimat ishin fëmijë dhe të rinj, të cilët kishin ardhur me emocion për të parë idhullin e tyre. Viktima më e re ishte Saffie Roussos, vetëm 8 vjeç, e cila kishte ardhur me nënën dhe motrën. Ajo ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa nëna dhe motra u plagosën rëndë.
Shërbimet emergjente u mobilizuan me shpejtësi. Rreth 60 ambulanca dhe më shumë se 400 oficerë policie morën pjesë në operacionet e shpëtimit. U bënë 240 thirrje urgjente nga qytetarët e tmerruar. Spitalet e Mançesterit hapën dyert për të pritur dhjetëra të plagosur, ndërsa vullnetarë dhe qytetarë ofruan ndihmë, transport, dhe strehim për ata që kishin humbur kontaktet me të afërmit.
Media
Martin Hibbert dhe vajza e tij Eve, asokohe 15 vjeç vjeç, mbetën me lëndime që i ndryshuan jetën nga shpërthimi, Sipas “The Guardian” Ata ishin njerëzit më të afërt me bombarduesin vetëvrasës që mbijetuan, por Eve pësoi një dëmtim të rëndë në tru dhe Hibbert, 48 vjeç, u paralizua.
“Le Monde” shkroi se sipas një hetimi zyrtar agjencia e inteligjencës së brendshme e Britanisë, MI5, nuk veproi mjaftueshëm shpejt mbi informacionin kyç dhe humbi një mundësi të rëndësishme për të parandaluar sulmin më vdekjeprurës ekstremist në Mbretërinë e Bashkuar në vitet e fundit.
Reagimi
Pas sulmit, Ariana Grande shkroi në rrjetet sociale:
“Ndihem thellësisht e keqardhur. Nuk kam fjalë. Nga zemra, më vjen kaq keq.”
Ajo anuloi pjesën e mbetur të turneut dhe u kthye në Manchester pas 11 ditësh, ku vizitoi të plagosurit në spital dhe familjet e viktimave. Në 4 qershor 2017, ajo organizoi koncertin bamirës “One Love Manchester”, ku morën pjesë artistë të tjerë si Coldplay, Justin Bieber dhe Katy Perry. Koncerti mblodhi më shumë se 13 milionë paund për viktimat dhe u kthye në një simbol të qëndresës dhe solidaritetit ndaj terrorizmit.
Pasojat
Pas ngjarjes, Britania e Madhe ngriti nivelin e rrezikut terrorist në “kritik”, niveli më i lartë i mundshëm. U diskutua gjerësisht për masat e sigurisë në vendet e grumbullimeve masive dhe për sfidat që paraqet radikalizimi i brendshëm, veçanërisht në komunitetet e imigrantëve të gjeneratës së dytë.
Policia dhe shërbimet e inteligjencës u përballën me kritika për dështimet në monitorimin e personave të rrezikshëm. Po ashtu, pati thirrje për forcimin e ligjeve anti-terror dhe për edukim më të mirë kundër radikalizmit fetar në shkolla dhe xhami.
Epilogu
Sulmi në Manchester Arena nuk ishte vetëm një akt i pastër barbarie, por edhe një atentat ndaj pafajësisë, gëzimit dhe lirisë së një brezi të ri. Ai goditi zemrën e qytetit, por gjithashtu bashkoi një komb dhe komunitetin ndërkombëtar në një qëndrim të përbashkët: urrejtja nuk mund të triumfojë mbi dashurinë.
Në këtë ngjarje, tragjedia dhe njerëzimi u ndërthurën. Në errësirën e atij momenti, shkëlqyen gjestet e ndihmës dhe solidaritetit. Mes kaosit, shumë njerëz u treguan heronj — duke shpëtuar të panjohur, duke hapur dyert e shtëpive për të mbeturit rrugëve, dhe duke dhuruar gjak për të plagosurit. Kjo e bën ngjarjen e Manchesterit jo vetëm një kujtim të dhimbshëm, por edhe një testament për fuqinë e bashkimit njerëzor përballë së keqes.