Eduart Caka
Para disa javësh u gjenda në Ulqin për një konferencë mbi zonën e Anës së Malit. Aktiviteti përkonte me disa ngjarje të rëndësishme që po ndodhnin në atë qytet gjatë atyre ditëve. Fjala vjen, republikës së Shqipërisë, e cila e ka të sanksionuar në kushtetutën e saj që të mbrojë interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen në botë, më në fund i kishte rënë në mendje që të hapë një konsullatë në Ulqin. Sigurisht, një veprim shumë i lavdërueshëm, por tepër i vonuar!..
Një ngjarje tjetër që vijon ende ta mbajë të mbërthyer opinionin publik në Ulqin e më gjerë, është edhe një marrëveshje e qeverisë së Malit të Zi me Emiratet e Bashkuara Arabe për zhvillimin infrastrukturor e urbanistik të Plazhit të Madh, zonës më jetike për të ardhurat e banorëve të kësaj hapësire. Më konkretisht, në këmbim të këtij zhvillimi, zona në fjalë merrej prej banorëve dhe jepej me qira për një shekull tek investitorët e huaj.
Një plan i tillë, i pakonsultuar edhe me aktorët lokalë u prit me reagim prej banorëve të Ulqinit, jo vetëm për këtë zhvillim hapësinor, por për arsye se çështja e pronave të banorëve të kësaj zone ka qenë një plagë që vazhdonte prej dekadash. Këtu mjafton të sjellim në vëmendje sagën e gjatë të pronësisë së ullishtes së Valdanosit, e cila ishte marrë prej shtetit në mënyrë të padrejtë më 1978 dhe iu rikthye atyre vetëm pas katër dekadash.
Ndoshta prej “sëmundjes profesionale” të historianit, vetvetiu më vjen në mendjen një “dhurim” tjetër i kobshëm që iu bë Ulqinit plot një shekull e gjysmë më parë kur, sërish me kundërshtimin e banorëve, fjalët e të cilëve nuk u morën parasysh, kjo tokë shqiptare u “braktis” në favor të Malit të Zi.
Këtu nuk do të bie në kurthin e profesionit dhe të nis një trajtesë historike të këtij problemi, por ajo çka dua të sjell në vëmendje, ka të bëjë me faktin se, ndryshe nga rrethanat e shek. XIX, kur në “mendjet” e krerëve politikë të kontinentit Shqipëria ishte vetëm “një nocion gjeografik” sot shqiptarët i kanë të gjithë mekanizmat që t’i dalin për zot shqiptarëve kudo që ndodhen. Ajo që mungon, duket se është vetëm një vizion dhe vullnet politik i qeverive shqiptare për ta arritur këtë objektiv. Dhe, në këtë kontekst, fatkeqësisht rasti i Ulqinit, ndoshta përbën edhe mësimin më të madh që duhet të nxjerrë politika dhe faktori shqiptar në Ballkan.
Sa për t’iu referuar historisë, duhet thënë se Ulqini përbënte pikën më jugore të hapësirave të banuara prej shqiptarëve në atë gjeografi që sot bën pjesë në hartën politike të Malit të Zi. Profesori i ndjerë Selami Pulaha i përshkruan qartësisht në regjistrin osman të vitit 1485 zonat deri ku shtriheshin shqiptarët në shek. 15 në këto hapësira, informacione të cilat përkojnë edhe me ato të pelegrinëve e udhëtarëve perëndimorë të së njëjtës kohë që e kanë përshkuar këtë terren, dëshmi të cilat i hasim në librin e fundit të Noel Malcolm, Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit.
Rrudhja e hapësirave të shqiptarëve në këtë hapësirë nis në gjysmën e dytë të shek. 19, ndërsa sot, në Tivarin që dikur ishte tërësisht shqiptar, nuk gjen më gjurmë të kësaj të shkuare. E njëjta panoramë nuk gjendet vetëm në qytetet dhe vendbanimet e vijës bregdetare, por edhe në thellësitë e vendit. Asimilimi gradual, politikat diskriminuese shtetërore dhe emigrimi i banorëve vendas ka bërë që sot faktori shqiptar në këtë shtet, të jetë më i dobët se kurrë.
Ndonëse në dukje shqiptarët kanë arritur disa suksese, sikurse ishte ulja për herë të parë e një shqiptari në kolltukun e kryeministrit të këtij shteti, apo krijimi i komunës të Tuzit, e vërteta është tërësisht ndryshe. Ana e bregdetit është objekt i politikave diskriminuese ku investimet që vërehen në Budva e Tivar, në Ulqin as nuk mendohen, ndërsa në hapësirat e brendshme territoriale, përkatësisht në Malësi, ndonëse shqiptarët kanë një komunë të tyren, fakti është se ajo është zbrazur demografikisht si rrjedhojë e emigrimit.
Nëse Tirana zyrtare, por edhe Prishtina, nuk do të shkonin vetëm për vizita në Podgoricë dhe pushime në Budva e Kotor, por do të ndaleshin për të dëgjuar me të vërtetë historinë dhe problemet e njerëzve të këtyre zonave, atëherë do ta shihnin edhe atmosferën e vërtetë që mbizotëron këtu. Hapja e konsullatës shqiptare në Ulqin pas ambasadës në Podgoricë, sigurisht që përbën një hap pozitiv, por këto institucione duhet të futen në kontakt me dinamikat politike, sociale e kulturore të lokaliteteve të banuara prej shqiptarëve, jo vetëm për të kuptuar problemet e tyre, por edhe për të ndërtuar një vizion përmes së cilit të ndërtohet një vizion shtetëror që do të mbështesë komunitetin shqiptar në këtë vend. Gjë e cila duket qartë se nuk është bërë deri sot…
Një pjesë e madhe e përgjegjësisë në këtë drejtim, bie edhe mbi elitat intelektuale, të cilat duket se nuk kanë dalë ende prej qerthullit të tranzicionit dhe i kanë mbyllur sytë e veshët rreth realiteteve në terren. Kjo, sepse është detyrë e njerëzve të dijes e artit që t’i tërheqin vëmendjen institucioneve shtetërore mbi problematikat më të mprehta që e karakterizojnë një vend, një shoqëri, një komb. Sepse, detyra e intelektualit është të jetë opozitar i përhershëm në të mirën dhe interesin e shoqërisë e kombit.
Tani, le të kthehemi edhe një herë tek Ulqini dhe ta rishtrojmë pyetjen që ngrita në titullin e këtij reflektimi: Ç’është Ulqini për ne? Përgjigjen do ta formuloja me një fjali të vetme: ndonëse dikur Ulqini ishte pjesa më jugore e zonave ku shtriheshin shqiptarët në këto hapësira, sot ky qytet është kthyer në skajin më verior të tyre. Ulqini sot përbën qendrën e shqiptarëve të Malit të Zi dhe zemrën e kujtesës historike e kulturore të kësaj popullsie. Dhe, ky realitet i trishtë, duhet të jetë vëth në vesh për të gjithë ne dhe veçanërisht ata institucione shtetërore që e kanë për detyrë. Para se të jetë shumë vonë…/e.t