Rreth 17,000 banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në provincën kanadeze të Manitobës, për shkak të zjarreve të mëdha që kanë përfshirë rajonin dhe po përhapen me shpejtësi.
Në zonat më të izoluara, janë përdorur avionë ushtarakë dhe helikopterë për të ndihmuar në evakuimin e banorëve, ndërsa zjarrfikësit po përballen me flakë gjithnjë e më të fuqishme. Moti i thatë dhe temperaturat e larta pritet të zgjasin për disa ditë të tjera, duke përkeqësuar gjendjen.
Sipas autoriteteve kanadeze, mbi 188 vatra zjarri janë aktive në të gjithë territorin, duke gjeneruar tym të dendur që tashmë është përhapur edhe në disa rajone të Shteteve të Bashkuara.
Provincat Saskatchewan dhe Manitoba kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për të paktën një muaj dhe kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare. Vetëm në Saskatchewan, janë 17 zjarre aktive, prej të cilave tetë janë jashtë kontrollit.
Qendra Kanadeze për Koordinimin e Zjarreve Pyjore (CIFFC) ka vlerësuar se kushtet në terren janë ekstreme. Ndërkohë, kryeministri i Saskatchewan, Scott Moe, paralajmëroi se numri i të evakuuarve në këtë provincë, që tashmë ka arritur në 8,000, mund të rritet në 10,000 nëse moti nuk ndryshon.
“Këto katër deri në shtatë ditë të ardhshme janë vendimtare. Na duhet një ndryshim i modeleve të motit dhe shpresojmë për reshje të mëdha shiu në pjesën veriore të vendit,” u shpreh Moe në një konferencë për shtyp. m.p.