Reflektime pas ndeshjes me Serbinë nga Fjala.al:
1. Mario Mitaj me siguri që brenda 3 vitesh do të jetë kapiteni i ardhshëm i kombëtares. Mbrojtësi i majtë i ka të gjitha: vetëbesim, teknikë dhe vizion. Nuk gabon thuajse kurrë. Lojtar i rrallë! Ka shumë karakter dhe, sapo të arrijë pjekurinë e duhur, presim ta shohim me shiritin e kapitenit. Urojmë gjithashtu ta shohim në një ligë europiane.
2. Juljan Shehu është një nga zbulimet më fantastike të kombëtares. Dje tregoi se vlen shumë. Ai na sjell siguri në mesfushë dhe di të përballojë presionin. Performancat e tij janë bindëse. Në syrin tonë, meriton të jetë gjithmonë titullar. Tifozët e brohoritën shumë herë gjatë lojës në “Air Albania”.
3. Elseid Hysaj ka disa vite që kritikohet, por dje na mbylli gojën të gjithëve. Performanca e tij ishte e shkëlqyer. Me sa duket, Serbia e ka motivuar shumë. Hysaj u rikthye në formën e tij të vjetër. Ishte i pagabueshëm. Fitoi edhe penalltinë. Urojmë të vijojë kështu.
4. Ernest Muçi meriton një shans. Ai është lojtar i shkëlqyer, me veti të jashtëzakonshme teknike. Trajneri Sylvinho nuk i jep mundësinë që të tregojë veten, por të gjithë presin ta shohin në fushë, sepse është special. Letonia mund të jetë dita e duhur!