Amerika nuk mund t’i bëjë Koresë së Veriut atë që sapo i bëri Iranit

Nga W.J. Hennigan*

Një ditë pasi 14 bomba amerikane me peshë 30 mijë paund secila goditën me forcë Iranin, Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut lëshoi një deklaratë publike tipike, e ngarkuar me tone retorike, përmes mediave shtetërore, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara se kishin “shkelur dhunshëm integritetin territorial dhe interesat e sigurisë të një shteti sovran.”

Ndryshe nga Koreja e Veriut, Irani ende nuk ka një armë bërthamore. Por për liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, sulmet ajrore amerikane ndaj infrastrukturës bërthamore në zhvillim të Iranit duhet të kenë përforcuar bindjen që ai ka mbajtur prej kohësh: që zotërimi i armëve bërthamore është jetik për mbijetesën e tij personale dhe të vendit të tij. A do ta kishte kryer SHBA një operacion kaq të guximshëm dhe parandaluese nëse Irani do të kishte pasur vërtet kapacitet për t’u kundërpërgjigjur me bombë bërthamore?

Kjo llogaritje ka qenë në qendër të mendësisë së Kim Jong-unit që kur mori pushtetin nga i ati, më shumë se një dekadë më parë. Asgjë nuk e ka shmangur atë nga drejtimi i ushtrisë, industrisë dhe komunitetit shkencor të Koresë së Veriut drejt zhvillimit të armëve bërthamore dhe raketave me rreze të gjatë veprimi, që vendosin në shënjestër Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Dhe, në mënyrë befasuese, ai i ka arritur këto objektiva. Pavarësisht përpjekjeve shumëvjeçare të SHBA-së dhe fuqive të tjera botërore për ta larguar Korenë e Veriut nga rruga bërthamore, ky shtet i vogël dhe i izoluar vlerësohet se ka montuar rreth 50 koka bërthamore dhe ka prodhuar material të mjaftueshëm fisil për deri në 40 të tjera. Arsenali i tij me raketa balistike ndërkontinentale ka gjasa që të jetë në gjendje të godasë çdo qytet të madh amerikan, ndërsa mijëra raketa të tjera janë në rreze të bazave ushtarake amerikane në rajonin e Azisë-Paqësorit.

Lexo edhe :  Të manipulosh të vërtetën

Internetin e kanë përmbytur fotografitë e Kim Jong-unit duke ndjekur testet raketore, duke u takuar me shkencëtarë që dizajnojnë ato raketa dhe duke vizituar komplekse të mëdha që prodhojnë lëndë bërthamore të gradës ushtarake. Kim dëshiron që bota të dijë se programi bërthamor i Koresë së Veriut, tashmë i fuqishëm, po përparon çdo ditë.

Ndryshe nga rasti me Iranin, Presidenti Trump nuk po kërcënon me luftë për çarmatosjen e Koresë së Veriut. Në fakt, pesë muaj pas fillimit të mandatit të tij të dytë, ai nuk duket se po i kushton shumë vëmendje kësaj çështjeje, edhe pse Kim është forcuar më tej përmes armëve të reja bërthamore, raketave dhe aleancave të reja. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk ishin në gjendje të shkaktonin dëme të pakthyeshme ndaj programit bërthamor të Iranit përmes sulmeve ajrore, siç sugjerojnë disa të dhëna të hershme të inteligjencës, është e vështirë të imagjinohet fushata e vazhdueshme që do të nevojitej për të pasur sukses në rastin e Koresë së Veriut.

*W.J. Hennigan shkruan për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme dhe konfliktet në seksionin e Opinioneve.

Burimi: New York Times/ Përgatiti: L.Veizi