Xhim Morison, legjenda e pavdekur e muzikës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi      

Nga kordat e zërit të tij dilnin nota mistike, diçka që ishte fillimisht veç një imazh i cili kalonte vetëtimthi nëpër tru por që konvertohej në një ritëm muzikor të çartur. Këndonte me një zë të thellë, muzikë të egër, e disi verbuese. Vargjet që shkruante ishin tronditëse, shpesh shokuese, e me raste të paturpta. Ndërsa performancat skenike të shfrenuara, me grimasa erotike të papërmbajtshme, të gatshme për t’u kthyer në një pornografi masturbuese. Ai ishte Xhim Morrison. Inteligjent, rebel, kontrovers… dhe i dehur. Aq sa për shumë vite të tjera skenat botërore të muzikës nuk do të mund të njihnin një të dytë si ai…

…Paris. Ishte 3 korriku i vitit 1971. Xhim Morrisoni gjendet pa jetë në vaskën e apartamentit të tij. E fejuara, Pamela Kurson, dëshmoi skenën. Hetimi francez bëri të ditur se shkaku i vdekjes ishte sulm në zemër. Ky ishte versioni zyrtar. Sepse kishte dhe jo të tillë si në çdo vdekje të parakohshme të një superstari. Dhe Xhim Morrison ishte vërtet një yll.

Morrisoni në Tiranë

Në Tiranën e viteve ‘80 të shekullit XX, fansa të Majkëll Xheksonit dhe Madonës gjeje me shumicë. Dhe po aq pëlqeheshin grupet e rrokut si “Duran-Duran” apo “Europe”, të cilët kishin startuar fort me muzikën e tyre në ato vite. Por shumë më rrallë gjeje njerëz që njihnin Xhenis Xhoplin, Deivit Koverdelin, e aq më pak një bandë muzikore amerikane me emrin “The Doors” e që si lider kishte një këngëtar i cili i shkruante vetë tekstet e këngëve të tij i cili quhej mahnitshëm Xhim Morrison.

Në Klubin e Morrisonit fansat numëroheshin me gishtat e dorës. Sepse si në çdo kohë rinia e atëhershme, për shkak të Hit-Paradës italiane që ndiqnin me fanatizëm, ishte fokusuar në ritmin e popit që në ato vite kishte pushtuar skenat. Por Xhim Morrison ishte aq i veçantë sa dhe fansat e tyre shiheshin me një sy tjetër. Sepse dukej sikur të gjithë ata kishin marrë diçka nga mistikja e Morrisonit të jashtëzakonshëm.

I etiketuar si “mbreti i rrokut orgazmatik”, Morrison ishte konsideruar gjithashtu si “simboli i seksit mashkullor” bashkë me aktorët e mëdhenj të Hollivudit, Xhejms Din dhe Marlon Brando. Deri në atë kohë, jeta e Xhimi Morrisonit dukej si një film. Fantazi delikate në të cilën ai ishte heroi i skenës dhe po aq ishte dhe turpi i shoqërisë. Në foto e videoklipe ai është parë si një autostopist që kthehet në një vrasës masiv por dhe në një Krisht që kryqëzohet. Ai ishte këngëtari dhe vetë kënga.

Vdekja si model

Apeli i jetës së përditshme të Xhim Morrison qëndronte në pashmangshmërinë e vdekjes. A e dini se sa e zbehtë dhe emocionuese vinte vdekja në një orë të çuditshme të paparalajmëruar, të paplanifikuar. Si një mysafir i frikshëm tepër miqësor që ke sjellë vet në shtrat.

Por në të vërtetë vdekja e parakohshme e tij tronditi botën e artit dhe i la fansat e tij nën shok. Ikona e “rock”-ut ishte vetëm 27-vjeç kur dha frymën e fundit. Ndërsa vdekja e tij u mbulua me mister. Nuk u krye kurrë një autopsi, e për këtë shkak e vërteta se si vdiq Xhim Morrison ka mbetur e errët për vitet që erdhën në vazhdim. Dhe pyetjet rreth vdekjes së tij kanë zgjatur shumë më tepër se koha e shkurtër që ai kaloi mbi Tokë.

Nisma e shpërthimit

Xhejms Dagllas Morrison, i njohur si Xhim, u lind më 8 dhjetor 1943, në Melburn, Florida, të Shteteve të Bashkuara. Babai i tij ishte një admiral në flotën detare Amerikane. Xhimi rrallë e shihte njeriun që ishte jashtë vendit në shumicën e kohës. Prindërit zakonisht e këshillonin Xhimin të priste flokët dhe të mos vishej ekstravagand. Dhe kur u bë i famshëm, ai tha se prindërit e tij kishin vdekur. Dhe kaq. Sepse për ta nuk u fol më kurrë.

U njoh si student i shkëlqyer, por rebel. E filloi shkollimin e tij universitar në vitin 1961 në Kolegjin Junior të Shën Petersburgut në Florida dhe zhvilloi talentin e tij si interpretues duke recituar poezi në kafenenë lokale “Beaux Arts”. Më pas u transferua në Universitetin Shtetëror të Floridës dhe akoma më pas në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos, ku studioi për film.

Lexo edhe :  Sopranoja Nina Muho sjell koncert recital me këngët popullore shqiptare

Ambicia e Xhimit, që nga bankat e shkollës, ishte të bëhej shkrimtar. Por u bë këngëtar e kompozitor, themeluesi i një grupi rroku psikodelik.

Në Universitetin Kalifornian u njoh me Rei Manzarek, i cili luante organo, dhe që të dy në vitin 1965, formuan grupin muzikor që e quajtën “Doors”, duke marrë emrin nga libri i Aldous Huxley që fliste mbi meskalinën, “Dyert e Perceptimit”. Me grupin u bashkuan kitaristin Robi Krieger dhe bateristi Xhon Densmore.

Famë elektrizuese

Grupi shkëlqeu shumë shpejt dhe pati një famë të menjëhershme. Pas kontratës me “Elektra Records”, u publikuan një varg këngësh hit, duke përfshirë “Light My Fire” dhe “Hello, I Love You”. Erotizmi i errët i zërit bariton dhe i teksteve poetike të Morrison-it ndihmuan ta bënin grupin një nga aktet më të fuqishme, më të diskutueshme dhe teatrale të muzikës rock.

Morrison ishte i njohur për përdorimin e alkoolit dhe drogës dhe sjelljen e egër në skenë. Gjatë një koncerti të vitit 1969 në Miami, ai dyshohet se bëri një performancë erotike në skenë dhe më vonë u dënua me akuza për ekspozim të pahijshëm dhe sharje. Ai u dënua me gjashtë muaj burg, por iu dha lirimi me kusht në pritje të apelit të tij. Ai është shprehur se “The Doors” kishte një muzikë mes “country dhe blues”. Në 1971 Morrison u largua nga “Doors” u transferua në Paris për t’iu përkushtuar poezisë.

E pashmangshmja

Dukej se në Paris Morrison kishte gjetur paqen. Ai shkruante çdo ditë. Për miqtë, asokohe Morrison shfaqej i lumtur dhe i shëndetshëm. Në fotot e bëra gjatë ditëve të fundit të jetës, dukej i zbukuruar dhe në formë. Dhe kështu për shumicën vdekja e tij ishte e papritur. Por jo të gjithë u habitën.

Ndërsa ishin në Paris, Morrison dhe Kurson me sa duket dëfryen sipas zakoneve të vjetra. Ata frekuentonin gjithashtu klubet e natës pariziane si “Rock’n’Roll Circus”. Dhe çuditërisht, disa pretendojnë se Morrison në të vërtetë vdiq në të njëjtin klub dhe jo në banesën e tij.

Kjo është historia e vdekjes së Xhim Morrison, nga ajo që dëshmitarët pretendojnë se ka ndodhur në të vërtetë.

Dhe së fundi ka shumë që këmbëngulin të besojnë se Xhimi, në fakt, nuk ka vdekur fare dhe e gjithë kjo është thjesht një mashtrim i konceptuar dhe kryer nga mendja e tij dinake. Dhe ndoshta ky spekulim i fundit nuk është aq i çmendur sa mund të duket.

Post epilogu

Pak interpretues kanë qenë kaq kontrovers sa Xhim Morrison. Dhe askush nuk ka bërë që kaq shumë në ndërtimin e imazheve gotike në një përpjekje për të përshkruar mistikën. Ai u përshkrua si njeri me një “vizion demonik nga një gojë ferri mesjetare”.

Vdekja e tij për disa, u duk si një fund i trishtuar i një spiraleje të gjatë në rënie. Por ai kishte luftuar prej vitesh me famën dhe varësinë ndaj drogës. Për të thuhet se jetoi shumë brutalisht, mes pijeve alkoolike, mungesë gjumi dhe shpërfilljes ndaj qenies së tij fizike. Zakonet intensive të jetesës çuan përfundimisht në vdekje, gjë që do të justifikonte shkakun “zyrtar” të lëshuar tre ditë pas: atak në zemër.

Ai tanimë prehet në varrezat Père Lachaise të Parisit. Varri i tij u bë një Mekë për fansat e muzikës dhe një nga atraksionet turistike të Parisit.

Historia e grupit dhe e vetë Morrisonit u shfaq në ekranin e filmit si “The Doors” një prodhim i vitit 1991, me regji nga Oliver Stone. Veprat e mbledhura të Xhim Morrison: poezia, transkriptet dhe tekstet u botuan të plota në vitin 2021.

Të fundit

Nga bora në plazhe te temperaturat -18°C, Amerika e Jugut ngrin nga ajri polar

Ndërkohë që Europa po goditet nga i nxehti vdekjeprurës, një i ftohtë i paprecedentë po Argjentinën, Kilin dhe Uruguain,...

Michael Madsen, ikonë e kinemasë së viteve ’90, ndërron jetë në moshën 67-vjeçare

Aktori i njohur amerikan Michael Madsen, i cili u bë ikonë e kinemasë së viteve ’90 me rolet e tij të pashlyeshme si burrë...

“Djalë ke 2 orë që gënjen”, sherr e fyerje mes Erion Alibej dhe Plarent Dervishaj në gjyq

Seanca e radhës gjyqësore ku ka dëshmuar i penduari i drejtësisë Erjon Alibej, është shoqëruar me tension dhe përplasje verbale midis tij dhe Plarent...

“Nesër arrin kulmi i vapës”/ Sinoptikania jep paralajmërimin e fortë: Ja çfarë na pret

Nesër pritet të jetë edhe dita më e nxehtë për këtë verë deri më tani, me temperatura që ngjiten deri në 41 gradë C. “Nesër...

Urim i veçantë për ditëlindje/ Rama publikon këngën e krijuar me Inteligjencë Artificiale

Në ditën e 61-vjetorit të lindjes së Kryeministrit Edi Rama, Akademia Politike e Partisë Socialiste ka zgjedhur një mënyrë kreative për ta uruar liderin...

Lajme të tjera

Web TV