Pushuesve mund t’u duket perfekt për not, por rritja ekstreme e temperaturave në Detin Mesdhe po alarmon shkencëtarët. Ngrohja e ujërave ka arritur nivele të rrezikshme dhe kjo përfshin edhe Shqipërinë.
Deti Jon, i njohur për thellësinë dhe ujin e tij të kaltër, është pjesa më e thellë e Mesdheut, ndërsa Adriatiku është dega veriore që lag brigjet e Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë dhe Italisë. Të dy këto dete janë brenda sistemit më të gjerë të Mesdheut, që këtë verë po përjeton temperatura të paprecedenta.
Në qershor, sipërfaqja e Detit Mesdhe ka arritur temperatura më të larta se ato të pishinave, shkruan BBC. Në disa zona, uji ka shënuar deri në 30°C, dhe kjo është vetëm fillimi.
Uji i detit të ngrohtë përshpejton përhapjen e baktereve dhe algave të dëmshme, duke rrezikuar jetën detare dhe shëndetin e njerëzve.
“Ajo që është ndryshe këtë vit, është fakti që temperaturat prej 30°C kanë ardhur shumë më herët, çka do të thotë se vera do të jetë më intensive dhe më e gjatë,” – shpjegon Marta Marcos, profesoreshë në Universitetin e Ishujve Balearik në Spanjë.
Mesdheu është veçanërisht i ndjeshëm sepse funksionon si një vaskë gjigante: është i rrethuar nga kontinente dhe nuk ka qarkullim të hapur si oqeanet, ndaj uji nxehet shpejt dhe ngec në sipërfaqe.
Sipas ekologëve, ngrohja e detit nuk sjell vetëm vdekje të peshqve apo zhdukjen e koraleve, por edhe atë që quhet “efekt nën-vdekjeprurës”. Kjo do të thotë se organizmat detarë mbijetojnë, por ndalojnë shumimin dhe zhvillimin. Nëse ky cikël vazhdon, mund të përballemi me një krizë të re ekologjike në Mesdhe.
Ngrohja e ujërave po ndodh gjithnjë e më shpesh për shkak të ndryshimeve klimatike, dhe shkencëtarët paralajmërojnë se vitet e ardhshme kjo situatë do të bëhet edhe më e rëndë./e.t