Bashkimi Evropian ka përgatitur një listë tarifash në vlerë prej 21 miliardë euro ndaj produkteve amerikane, nëse nuk arrihet një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, në një intervistë për gazetën italiane Il Messaggero.
Kërcënimi vjen si përgjigje ndaj paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka deklaruar se nga data 1 gusht do të vendosë tarifa prej 30% për importet nga Bashkimi Evropian dhe Meksika, nëse negociatat tregtare nuk sjellin rezultate.
“BE-ja nuk mund të qëndrojë duarkryq përballë një veprimi të njëanshëm dhe të dëmshëm,” tha Tajani. Sipas tij, lista e tarifave është gati dhe do të hyjë në fuqi menjëherë nëse SHBA-ja zbaton kërcënimin e saj.
Në të njëjtën intervistë, Tajani u shpreh se përballë këtyre zhvillimeve dhe ngadalësimit të ekonomisë në eurozonë, Banka Qendrore Evropiane duhet të shqyrtojë mundësinë e një programi të ri lehtësimi sasior, përmes blerjes së obligacioneve dhe uljes së mëtejshme të normave të interesit.
Përshkallëzimi i mundshëm i tensioneve mes BE-së dhe SHBA-së ka gjasa të ndikojë në tregjet financiare dhe ekonominë globale, ndërsa palët duket se janë ende larg një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse./e.t