Gjermania dhe BE: Sulmet ndaj gjyqtarëve në Kosovë janë të papranueshme

Ndërkombëtarët reagojnë në mbrojtje të Gjykatës Supreme të Kosovës pas shfuqizimit të vendimit të ministrit në detyrë të financave, Hekuran Murati, lidhur me arkat fiskale.

Shefi i misionit të Bashkimit Europian, Aivo Orav, përmes rrjetit social X, thekson se sulmet ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme. “Shefat e Misioneve të BE-së diskutuan situatën pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Sulmet ndaj gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor janë të papranueshme”, shkruan diplomati europian.

Gjithashtu edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e mbështeti këtë qëndrim. “Është më e pakta që i duhet këtij vendi në këtë situatë politike tashmë të vështirë”, shkruan diplomati gjerman në Kosovë.

Kurse misioni i OSBE-së, përmes një reagimi zyrtar, thekson rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit. m.p.