Trump paralajmëron lëvizjen e radhës: Mund të godasim sërish

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të godasin sërish uzinat bërthamore të Iranit “nëse është e nevojshme”.

Trump e bëri këtë paralajmërim në një postim në rrjetet sociale të hënën në mbrëmje, pasi ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi për Fox News se Teherani nuk mund të heqë dorë nga programi i pasurimit bërthamor, pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga bombardimet amerikane muajin e kaluar.

“Po, është ndalur sepse dëmet janë serioze dhe të mëdha. Por nuk mund të heqim dorë nga pasurimi, sepse është një arritje e shkencëtarëve tanë. Tashmë është edhe një çështje krenarie kombëtare,” tha Araghchi.

Në platformën e tij Truth Social, Trump iu referua deklaratave të Araghchi-t për dëmtimin e centraleve bërthamore dhe u shpreh: “Sigurisht që po, siç e kam thënë, dhe do ta bëjmë sërish, nëse është e nevojshme!”

Sulmet e SHBA-së më 22 qershor goditën tre qendra të pasurimit bërthamor iranian — Fordow, Natanz dhe Isfahan — gjatë konfliktit 12-ditor midis Izraelit dhe Iranit.

Disa ditë pas njoftimit për një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Trump pretendoi se sulmet kishin “shkatërruar plotësisht” uzinat bërthamore iraniane.

Megjithatë, ky pretendim u vu në dyshim nga një raport i mëvonshëm i inteligjencës amerikane, i cili tregoi se programi bërthamor i Iranit ishte penguar vetëm për disa muaj.

Shtëpia e Bardhë e kundërshtoi me forcë këtë vlerësim, duke e quajtur atë “plotësisht të gabuar”.

Postimi i Trump erdhi pas njoftimit të Iranit të hënën se të premten do të zhvillohen bisedime të reja me vendet evropiane për programin e tij bërthamor.

Takimi në Stamboll do të jetë i pari që prej armëpushimit midis Izraelit dhe Iranit në fund të muajit të kaluar, dhe vjen pas diskutimeve të ngjashme në të njëjtin qytet në maj.

Lexo edhe :  Trump u përgjigjet thashethemeve për gjendjen shëndetësore të tij

Në bisedime do të marrin pjesë zyrtarë iranianë, përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania – të njohura si vendet E3 – si dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

“Tema e bisedimeve është e qartë: heqja e sanksioneve dhe çështjet që lidhen me programin bërthamor paqësor të Iranit,” tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për kufizimin e aktiviteteve bërthamore të Iranit, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), Teherani pranoi kufizime të rrepta në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Kjo marrëveshje filloi të shpërbëhej në vitin 2018, kur SHBA u tërhoq dhe rivendosi një sërë sanksionesh.

Vendet evropiane së fundmi kanë kërcënuar se mund të aktivizojnë mekanizmin e “rikthimit” të marrëveshjes së vitit 2015, që do të çonte në rikthimin e sanksioneve në rast të mosrespektimit nga ana e Iranit. m.p.