Autoritetet iraniane kanë bërë thirrje për kufizimin e menjëhershëm të konsumit të ujit për shkak të valëve ekstreme të të nxehtit dhe një krize të rëndë uji që ka përfshirë vendin. Temperaturat kanë kaluar 50°C në disa zona, duke shënuar javën më të nxehtë të vitit në Iran, sipas shërbimit kombëtar meteorologjik.
Ministri i Energjisë, Abbas Aliabadi, ka bërë të ditur se Irani është në negociata për të importuar ujë nga vendet fqinje si Turkmenistani, Afganistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani. Ndërkohë, mungesa e reshjeve dhe një thatësirë pesëvjeçare kanë ulur ndjeshëm kapacitetin e prodhimit të qindra digave të vendit, duke shkaktuar edhe ndërprerje të shpeshta të energjisë.
Për shkak të kushteve ekstreme, qeveria iraniane ka shpallur të mërkurën ditë pushimi në Teheran. “Në dritën e vapës ekstreme të vazhdueshme dhe domosdoshmërisë për të kursyer ujin dhe energjinë, e mërkura është shpallur ditë pushimi në provincën e Teheranit”, njoftoi zëdhënësja e qeverisë, Fatemeh Mohajerani.
Në qytetin jugperëndimor të Shabankareh u regjistrua një temperaturë rekord prej 52.8°C gjatë fundjavës, një nga më të lartat deri tani këtë vit. Ndërkohë, në qytetet si Abadan dhe Ahwaz, temperaturat kanë kaluar gjithashtu 50°C.
Në Teheran, temperaturat arritën 41°C të hënën, por ndjesia termike është edhe më e lartë. Banorët raportojnë se në disa zona ka ndërprerje të furnizimit me ujë që zgjasin mbi 12 orë. Diga e Karajit, që furnizon me ujë Teheranin, ka arritur në nivelin më të ulët të saj./kb