Makbeth bëhet një mjuzikël i përgjakshëm në festivalin e Edinburgut

Lady Macbeth në mbrojtje krahu bashkon komedinë e zezë, këngët dhe atletizmin, ndërsa një lojtare e re e netbollit përballet me ambiciet e saj mes ritmeve elektro-pop

Nga Arifa Akbar

Një valë shfaqjesh të Macbeth-it do të mbërrijnë në festivalin e Edinburgut këtë muaj, të gjitha me qasje të reja mbi dramën skoceze të Shekspirit. Ka “Macbeth: The Musical”, i shoqëruar me hite pop, dhe “Macbeth për Fëmijë”, një version ndijor për të vegjlit me flluska. Por më e pazakonta prej tyre është një shfaqje fituese çmimesh që ka bërë namin në skenat alternative australiane.

Si përzierje, Lady Macbeth Played Wing Defence është gjithçka përveçse e zakonshme. Është një mjuzikël i zi komik, që zhvillohet në një fushë netbolli dhe ndjek një ekip adoleshentesh me shtatë lojtare, njëra prej të cilave, Mac Beth, është një Lady M moderne, me ambicie të flakta për t’u bërë kampione netbolli në vitin e fundit të shkollës. Tri shtrigat janë kthyer në një grup vajzash me emrin Dagger Divas, që e nxisin drejt synimit të saj, me çdo kusht.

E krijuar dhe interpretuar nga një ekip krejtësisht femëror, produksioni i Crash Theatre Co u shfaq për herë të parë në festivalin fringe të Perth-it në vitin 2024 dhe tani mbërrin në Skoci si pjesë e sezonit House of Oz. Është krahasuar me mjuzikëlin Six, që nisi po në festivalin e Edinburgut, si dhe me produksionin australian Fangirls, i cili pati premierën në Londër vitin e kaluar. Autorja Courtney McManus, gjithashtu bashkëshkruese e teksteve dhe aktore në rolin e trajneres, punon si mësuese letërsie në një shkollë australiane. Ajo kishte vënë re mungesën e interesit të nxënësve për Shekspirin dhe kërkoi një mënyrë për t’i afruar të rinjtë me tragjedinë.

“Si ta bëj Shekspirin të qasshëm?” pyet ajo.

“Në departamentet e anglishtes ku kam punuar, librat e Shekspirit ishin ato që mbuloheshin me pluhur… Po t’u thoja nxënësve: ‘Kush është Shekspiri?’, ndoshta s’do dinin ç’të thonin. Nuk është më relevant për ta.”

Macbeth ka qenë gjithmonë drama e saj e preferuar, por familja e saj kishte më shumë pasion për sportin. “Kështu që mendova: si t’i përfshij në Shekspirin?” – Dhe sapo i lindi ideja që ta vendoste dramën në botën e netbollit, e kuptoi se duhej të ishte patjetër një mjuzikël — me bas, sintetizatorë dhe energji fizike të lartë. Bec Price, kompozitorja e partiturës elektro-pop, bashkëshkroi tekstet (dhe drejton gjithashtu shfaqjen), me frymëzim nga Lady Gaga, Kylie Minogue dhe Charli XCX – por me shtesë elementë sportivë. Ajo madje regjistroi zhurmën e atleteve të netbollit mbi parket për një nga këngët kryesore: Pick Your Player.

Lexo edhe :  Panairi mbarëshqiptar i suvenireve në Sarandë për të 13-tin vit radhazi

“Sintetizatorët janë instrumentet e mia të preferuara në botë,” thotë Price.

“Kur vajzat më kërkuan të shkruaj muzikën, mendova: ‘Do ta kthej në një album dance’ – dhe pikërisht këtë donin. Ndjenja ishte: ‘Ta bëjmë Shekspirin cool dhe të klubeve të natës… drita që vezullojnë, muzikë e shpejtë, vajza që rrotullohen’.”

McManus beson se temat e dramës u përshtatën në mënyrë të përsosur me botën e netbollit konkurrues dhe adrenalina e saj. Shfaqja është edhe një eksplorim i ambicies, rivalitetit dhe bashkëpunimit mes vajzave të reja.

“Personazhet që kam shkruar pasqyrojnë përvojat e mia me të rinjtë – në momentet e tyre më të këqija dhe më të mira,” thotë ajo.

“Por Mac Beth, ndryshe nga origjinali, ka një rrugë shlyerjeje: ajo ndjen fajin, përjeton pasojat e veprimeve të saj, por gjithashtu ka një mundësi për t’u penduar dhe ndryshuar.”

Mesazhi qendror i shfaqjes ka të bëjë me fuqinë kolektive të vajzave si ekip, jo me fuqinë individuale që kërkon Mac Beth.

“Ky është një mësim që mund ta marrim edhe në grupet tona të grave: nuk kemi pse të jemi më të mirat apo më të mëdhatë. Mjafton të jemi të mbështetura dhe të mbështesim njëra-tjetrën.”

Price, e cila ka punuar si mentore e të rinjve dhe ka drejtuar kampe për shëndetin mendor të vajzave, shton:

“Jam pasionuar pas fjalës ‘bossy’ (urdhëruese), që nuk përdoret kurrë për një mashkull. Ç’do të thotë të jesh ‘bossy’? Apo ambicioze? Le ta vëmë në skenë, le të shkojë gjithçka ters… por në fund të fundit, kjo vajzë e meriton dashurinë dhe të jetë pjesë e ekipit.”

Përgatiti: L.Veizi