Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, kanë ngritur një padi për shpifje ndaj influencers amerikane Candace Owens në një gjykatë të shtetit Delaware të SHBA-së.
Padia ka të bëjë me përhapjen e një lajmi të rremë dhe të njohur tashmë në rrjetet sociale, sipas të cilit Brigitte Macron “ka lindur burrë”.
Ky pretendim i pabazuar është shfaqur për herë të parë në Francë pas zgjedhjes së parë të Emmanuel Macron më 2017, duke qarkulluar kryesisht në rrjete sociale nga qarqe konspirative dhe ekstremiste.
Por në mars të vitit 2024, Candace Owens e riktheu këtë teori konspirative në qendër të vëmendjes përmes një serie videosh me titull “Becoming Brigitte”, duke i dhënë përhapje globale këtij lajmi, sidomos që nga janari i vitit 2025.
Sipas dokumenteve të padisë, avokatët e çiftit Macron theksojnë se Candace Owens ka qenë e vetëdijshme për pavërtetësinë e pretendimeve dhe se ka refuzuar vazhdimisht të korrigjojë apo të heqë përmbajtjen, duke vazhduar një “fushatë shpifëse” me qëllim përfitimesh personale dhe financiare. Ata theksojnë se Owens ka mbi 6.9 milionë ndjekës në platformën X dhe 4.7 milionë në YouTube.
Sipas kësaj teorie, Brigitte Macron e lindur si Trogneux, në fakt nuk ka ekzistuar kurrë si person, dhe se identiteti i saj u mor nga vëllai, Jean-Michel, pas një ndryshimi gjinie.
Ky pretendim u përhap fillimisht nga qarqe që lidhen me teori konspirative, skepticizëm ndaj COVID-19 dhe grupime të ekstremit të djathtë në Francë.
Dy gra që luajtën rol kyç në përhapjen e këtij lajmi të rremë, Natasha Rey dhe Amandine Roy, u dënuan në shtator nga drejtësia franceze të paguajnë mijëra euro dëmshpërblim për Brigitte Macron dhe 5,000 euro për Jean-Michel Trogneux.
Megjithatë, në apel më 10 korrik, të dyja u shpallën të pafajshme. Çifti Macron kërkon një shumë “shembullore” dëmshpërblimi, e cila do të përcaktohet gjatë procesit gjyqësor./kb