Spanja tha të hënën se do të hidhte nga ajri 12 ton ushqime në Gaza këtë javë, ndërsa uria kërcënon territorin palestinez pas 21 muajsh lufte.
Operacioni është një shembull i rrallë i një kombi evropian që u bashkohet vendeve të Lindjes së Mesme në dërgimin e ndihmave nga ajri.
Kryeministri Pedro Sanchez, një nga kritikët më të ashpër të ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza, tha në një konferencë për shtyp se shpërndarja do të kryhej nga Jordania të premten duke përdorur aeroplanë të forcave ajrore spanjolle.
“Uria në Gaza është një turp për të gjithë njerëzimin dhe, për këtë arsye, ndalimi i saj është një imperativ moral”, tha ai.
Ministria e Mbrojtjes tha se 12 ton do të shpërndaheshin në një operacion të ngjashëm me një tjetër të kryer në mars 2024, kur Spanja shpërndau 26 ton ushqime.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se kequshqyerja në territorin e pushtuar ka arritur “nivele alarmante” që kur Izraeli vendosi një bllokadë totale në Gaza./e.t