Njihuni me James Bond-in e ri: “007: First Light” fitoi licencën për të ngjallur emocione

Ndërsa e ardhmja e sagës filmike mbetet e paqartë, zhvilluesit e lojës së re zbulojnë si ia paraqitën idenë origjinale kompanisë Eon Productions dhe si e rilindën karakterin për një epokë të re.

Joshua Rivera

Katër vjet pas No Time to Die – filmi i 25-të i James Bond-it dhe paraqitja e fundit e Daniel Craig si spiuni më i famshëm në botë – ende nuk ka një pasardhës zyrtar që të veshë smokingun, të porosisë një martini apo të hipë në një Aston Martin. Të paktën, jo në kinema. Por për herë të parë në historinë e Bond-it, bota do të njohë një James Bond të ri përmes një videoloje, përpara se një 007 i ri të bëjë debutimin në film.

Zhvilluar nga studio daneze IO Interactive, loja e shumëpritur 007: First Light, që pritet vitin tjetër, paraqet një Bond të ri – një pamje klasikisht e pashme, thuajse si kukull. Ai ka një fytyrë të pastër dhe sy blu më shumë vetëbesues sesa depërtues, ndryshe nga Bond-i i pjekur dhe i sofistikuar i shumicës së filmave, apo nga ashpërsia e Craig. Megjithatë, është qartazi i frymëzuar nga qasja fizike e Craig. Nënteksti është se ky Bond nuk i mohon këto cilësi – ai do t’i fitojë ato. First Light është një histori origjine, që synon të përcaktojë një nga protagonistët më jetëgjatë të argëtimit për një brez të ri fansash që janë rritur me video-lojëra.

“Ne e nisëm nga origjina. Sepse kështu mund të luajmë me pyetje si: ‘Kush është James Bond si i ri, dhe çfarë do të thotë të jesh agjent 00?’”, thotë Christian Elverdam, bashkëpronar i IO Interactive dhe drejtor kreativ i First Light. “Çfarë do të thotë të bëhesh 007?”

Shumica e lojërave të mëparshme me Bond-in kanë qenë qitëse (shooters), të frymëzuara nga GoldenEye 007, loja famshme e Nintendo 64 e vitit 1997. Por, pavarësisht popullaritetit të këtij zhanri, lojërat e mëvonshme të Bond-it patën një kthim të dobët. Komentet e vakëta dhe shitjet zhgënjyese të 007 Legends (2012) e lanë Bond-in në një heshtje të gjatë dixhitale – deri kur IO iu drejtua kompanisë Eon Productions me një propozim të thjeshtë në pamje të parë: një lojë që nuk është thjesht për të qëlluar, por për të përjetuar atmosferën e një filmi të Bond-it.

“Në filma ka skena të mira qitjeje – por, nëse mendon mirë, nuk janë aq shumë, apo jo?” thotë Elverdam. Korrigjimi i kësaj mospërputhjeje mes filmave dhe lojërave u bë “thelbi” i prezantimit të IO për Eon: që të bësh një Bond të vërtetë në lojë, duhej të krijoje një personazh që “nuk është gjithmonë duke qëlluar”.

IO kishte përvojë në këtë drejtim. Ndërmjet viteve 2016 dhe 2021, ajo zhvilloi një trilogji të re të serisë Hitman – lojë për një vrasës profesionist – duke ruajtur elementët më të mirë si planifikimi strategjik dhe zgjidhja elegante e problemeve, dhe duke hequr dorë nga toni shpesh vulgar dhe historitë konfuze. Rezultati ishte i jashtëzakonshëm: puzzle të riluajtshme pafund, ku objektivi është të eliminosh figura të fuqishme globale pa krijuar panik dhe pa u zbuluar. Satirike, ironike dhe inteligjente, Hitman: World of Assassination ishte karta më e mirë që IO mund të vinte në duart e Eon.

Lexo edhe :  Mondiacult 2025 në Barcelonë, kultura si urë për dialogun ndërkombëtar!

“Gjithçka që ka Hitman duket si spiunazh,” thotë Elverdam, “Prandaj, nëse marrim këtë dhe hedhim disa hapa më tutje” – këto hapa përfshijnë skena vozitjeje, përleshje fizike, dhe po, ndonjëherë edhe qitje – “kjo është ideja që përfundoi në First Light.”

Titulli “First Light” (Drita e Parë) është shumë domethënës, pasi ky projekt është rrezja e parë e shpresës për një markë argëtimi që po kalon një kohë të pasigurt. Fillimisht njoftuar si “Project 007” në nëntor 2020, loja ka mbijetuar një periudhë të trazuar për Bond-in, që nisi me bashkimin e MGM me Amazon për 8.45 miliardë dollarë në mars 2022. Megjithëse Amazon mori të drejtat për filmat ekzistues të Bond-it, vendimet krijuese për të ardhmen – përfshirë aktorin e ri të MI6 – mbetën në duart e Eon Productions, e drejtuar nga Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson.

Por në shkurt të këtij viti, Broccoli dhe Wilson dorëzuan drejtimin krijues tek Amazon në një marrëveshje të padeklaruar, por me vlerë të madhe, duke i dhënë fund 63 viteve të trashëgimisë familjare të Bond-it në kinema. Që prej atëherë, Amazon ka filluar të shpalosë planet e veta dhe ka përzgjedhur Denis Villeneuve si regjisorin e filmit të ardhshëm. Megjithatë, e gjithë bota është ende në pritje të emrit të aktorit të ri, çka do të përcaktojë drejtimin e një prej markave më fitimprurëse të filmit.

Ndërsa Bond-i kinematografik mbetet pezull, Bond-i i lojës video ka mundësi të lërë gjurmë. Trailer-i i parë për 007: First Light nuk jep shumë detaje, por rrezaton besim të plotë. Është një montazh që konfirmon se gjithçka që duan fansat nga Bond-i do të jetë aty: kurthet vdekjeprurëse dhe pajisjet nga epoka e Roger Moore, fiziku i fuqishëm i Daniel Craig, dhe qëndrimi i qetë e rebel që përshkon çdo version të Bond-it në ekran.

“Nëse do ta bësh këtë me ambicie të lartë, duhet të studiosh çdo interpretim të Bond-it dhe të kuptosh çfarë synonte secili, që ta ndërtosh versionin tënd,” thotë Elverdam.

Edhe pse Elverdam ka shumë për të thënë për Bond-in në përgjithësi, ai nuk është gati të zbulojë hollësira për versionin e vet. Emri i aktorit që i jep zërin Bond-it, për shembull, mbetet sekret. Por ai është i vetëdijshëm se Bond-i, pavarësisht popullaritetit të përjetshëm, nuk është një karakter që mund të transplantosh në botën moderne pa reflektim.

“Çdo Bond është Bond i kohës së vet, pa marrë parasysh sa i kujdesshëm je. Është e pashmangshme,” thotë ai. “Çfarë konsiderohet kërcënim, çfarë është cilësi për t’u admiruar – të gjitha këto ndryshojnë me kohën.”

Elverdam rendit disa nga pyetjet që versioni i IO do të trajtojë: kur duhet ta bësh detyrën? Kur të improvizosh? Çfarë do të thotë të shërbesh për Mbretin dhe Atdheun? Dhe pse duhet ta bësh këtë në radhë të parë?

Nëse Elverdam dhe IO dinë t’u japin përgjigje të mençura këtyre pyetjeve, ata mund t’i hapin rrugë Bond-it të ardhshëm kinematografik me një sfidë serioze – dhe ndoshta ta vendosin videolojën si terren kryesor për rilindjen e një legjende.

Burimi: theguardian.com/ Pergatiti për botim: L.V