Skenaristi Pandi Laço ka mësuar se ministri i Kulturës e Inovacionit Blendi Gonxhja është takuar me kineastët, dhe publikisht i bën thirrje të takojë pikërisht ata që lëvrojnë zhanret muzikore (kompozitorë, poetë, orkestrues).
“Kemi vite që kërkojmë takim, me firma, me asamble, me thirrje publike. Jemi 310 anëtarë të organizuar në shoqatën “Albautor”. Një portë shtëpie ku brenda nuk dëgjon askush, ose nuk duan të ta hapin atë derë. Prej vitesh kërkohet nga strukturat përkatëse angazhim dhe respekt për këtë kategori artistësh, por ka qenë trokitje e shurdhër. Nga autorët anëtarë është kërkuar në vazhdimësi takime me Ministrat e qeverive sa herë janë ndërruar, por me sa duket kjo problematikë nuk ka patur për ta rëndësinë e duhur dhe është injoruar ose për të mos qenë ekstrem , neglizhuar. Takimi është kërkuar si nga ana e Këshillit të Albautor ashtu dhe nga Ansambleja, përmes një peticioni të firmosur nga anëtarët e Albautor” shkruan Laço në një postim të gjatë.
Ai i kujton ministrit Gonxhe se një ndër rregullat për të hyrë në BE është njohja e të drejtës së autorit dhe kjo nuk mund të shmanget. Përpjekjet e fundit kanë qenë ato të kompozitorit të njohur, të ndjerit Kujtim Prodani, ndarë nga jeta në vitin e mbrapshtë të pandemisë Covid. m.p.