Një president amerikan pa zë dhe 60 mijë palestinezë të vrarë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Sean Mathews, artikull i Middle East Eye

Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump ka adoptuar një qëndrim gjithnjë e më indiferent ndaj luftës së Izraelit në Gaza. Ndërsa enklava po përballet me urinë dhe disa nga aleatët më të ngushtë politikë të tij në SHBA flasin për një gjenocid, kufijtë e apatisë së tij po vihen në provë.

“Ku janë vijat e kuqe të Trump? Sa vuajtje, vdekje e shkatërrim është i gatshëm të pranojë në Gaza përpara se të thotë ‘mjaft’?” pyet Khaled Elgindy, studiues në Georgetown University.

Trump pranoi këtë javë se në Gaza po ndodh një “uri reale”, duke sfiduar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Ai tha se kushdo që sheh imazhet e fëmijëve të dobësuar në Gaza do ta konsiderojë situatën të tmerrshme, përveç atyre që janë “të ftohtë në zemër ose, edhe më keq, të çmendur”.

Trump, i cili ka shtrënguar ndihmën amerikane dhe ka marginalizuar OKB-në në lidhje me Gazën, tani detyrohet të përgjigjet për krizën humanitare në këtë rajon, pasi nuk ka dhënë vëmendje të mjaftueshme për arritjen e një armëpushimi, thonë ekspertët.

Aaron David Miller, ish-negociator i Departamentit të Shtetit për Lindjen e Mesme, thekson: “Po shohim Izraelin pa asnjë presion apo interes amerikan”. Ai shton se Trump dëshiron të kthejë pengjet në shtëpi dhe të përmirësojë situatën humanitare në Gaza, por nuk do të angazhohet për zgjidhjen e konfliktit.

SHBA-të befasuan javën e kaluar kur ndalën përpjekjet për të negociuar armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit. Ekspertët thonë se Trump do të pranonte një armëpushim në Gaza nëse do të mundte, por nuk ka shenja se do të investojë kohë dhe kapital politik për ta arritur atë.

Pas marrjes së detyrës në janar, Trump u pyet për një armëpushim (tashmë të dështuar) që administrata e tij kishte ndihmuar të ndërtohej, dhe ai tha: “Kjo nuk është lufta jonë, është lufta e tyre. Nuk jam i sigurt në mbajtjen e armëpushimit.”

Interesi i Trump për armëpushimin ka zbritur gradualisht që kur e shfaqi si fitore diplomatike para marrjes së detyrës. Më shumë kohë ai i kushtoi temës së Gazës në shkurt, kur propozoi të marrë kontrollin e Gazës dhe ta kthente atë në një “Rivierë të Lindjes së Mesme”, pasi të zhvendoseshin palestinezët me forcë. Ky plan u braktis pasi mbreti Abdullah i Jordanisë dhe aleatët arabë e këshilluan kundër tij.

Për Trump, armëpushimi ka qenë gjithnjë i lidhur me lirimin e pengjeve izraelite. Nëse shpëtohen jetë palestineze, është bonus, por përfundimi i luftës nuk është prioritet. “Ata janë vetëm palestinezë. Nuk ka përfitim për Trump,” thotë Elgindy.

Aleatët arabë, veçanërisht monarkitë e Gjirit, po ushtrojnë presion për armëpushim si kusht për normalizim të marrëdhënieve me Izraelin, veçanërisht me Arabinë Saudite, që kërkon masa të pakthyeshme për krijimin e një shteti palestinez.

Megjithatë, Trump nuk është i bindur të përballet me Netanyahu për të përfunduar luftën në Gaza. Ai e fajëson Hamasin për dështimin e negociatave dhe së fundmi deklaroi fiks kështu:

“Mendoj se ata duan të vdesin, dhe kjo është shumë keq. Ka ardhur momenti të mbarojë kjo punë!”

SHBA-të fajësojnë Hamasin për dështimin e bisedimeve që nisën gjatë administratës Biden në 2024, por analistët dhe diplomatët bien dakord se Izraeli e ka thyer armëpushimin e fundit në mars, duke rifilluar sulmet pavarësisht dorëzimit të pengjeve nga Hamasi.

Deri tani, më shumë se 60 mijë palestinezë janë vrarë nga ofensiva izraelite, e nisur pas sulmit të Hamas më 7 tetor 2023. Edhe pse Hamas është organizatë terroriste sipas SHBA-ve, administrata Trump e ka thyer këtë precedent duke negociuar lirimin e një pengu me dy shtetësi.

Lexo edhe :  Strategjia e Putinit që injoron ultimatumin e SHBA/ ‘Ukraina do të jetë Vietnami i Trump’

Hamas insiston se çdo marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbetura do të sjellë fundin e përhershëm të luftës. Ata janë të gatshëm të heqin dorë nga kontrolli i Gazës, por nuk pranojnë të çarmatosen ose të shkojnë në mërgim. Këtë javë, Katar, Egjipt, Arabia Saudite dhe Bashkimi Evropian u bashkuan në thirrjen për çarmatimin e Hamasit dhe mbështetjen e forcave paqeruajtëse në Gaza, si dhe në mbështetjen e zgjidhjes me dy shtete në kufijtë e vitit 1967, që Izraeli e refuzon.

Trump ka pranuar se Hamas nuk beson në mbajtjen e armëpushimit, i cili ishte konceptuar në tre faza: lirimi i pengjeve, tërheqja izraelite nga pjesë të Gazës dhe rifillimi i bisedimeve përfundimtare, dhe më pas qeverisja dhe rindërtimi i rajonit.

Kryeministri Netanyahu kërkon shkatërrimin total të Hamasit dhe kontroll të plotë mbi Gazën, përfshirë rindërtimin e kolonive izraelite, madje edhe pas lirimit të pengjeve. Ekspertët thonë se SHBA-të nuk do të sigurojnë ndonjëherë fund të përhershëm të luftës në Gaza dhe se Hamas ka të drejtë të mos besojë tek ta.

Në mënyrë private, zyrtarët arabë dhe amerikanë thonë se për të arritur armëpushim, Trump duhet të përballet drejtpërdrejt me Netanyahu, por ai është i gatshëm të bëjë këtë vetëm për disa çështje të veçanta.

Trump ka negociuar edhe armëpushim me Houthit në Jemen, ka hequr sanksione ndaj Sirisë dhe ka sinjalizuar njohje të zonës turke në Siri, duke irrituar Izraelin.

Ndërsa ka bërë sulme të paprecedenta ndaj objekteve bërthamore iraniane, Trump ka lëvizur shpejt për të ulur tensionet me Iranin, duke refuzuar ofensivën më të gjerë që kishte shpresuar Netanyahu.

Brenda SHBA-së, Trump mbështetet nga donatorë të fuqishëm pro-Izrael, si miliardierja Miriam Adelson, ndërsa konservatorët e rinj po bëhen gjithnjë e më kritikë ndaj Izraelit.

Një sondazh i Pew tregon se 50% e tyre kanë një opinion të pafavorshëm ndaj Izraelit, veçanërisht pas sulmeve ndaj kishave palestineze dhe ndihmës amerikane për ushtrinë izraelite.

Trump ka urdhëruar pilotët izraelitë të mos sulmojnë Iranin për të ruajtur armëpushimin, duke u shprehur me fjalë të forta për udhëheqësit e të dyja vendeve.

Kongresmenja Marjorie Taylor Greene, mbështetëse e flaktë e Trump, u bë këtë javë anëtarja e parë republikane që e quajti luftën e Izraelit në Gaza një gjenocid.

Ekspertët thonë se Trump mund të përdorë pozicionin e tij për të ushtruar presion ndaj Netanyahu dhe madje të kërcënojë pezullimin e armëve që SHBA i jep Izraelit, nëse dëshiron të mobilizojë bazën e tij në këtë kohë kritike.

Administrata Trump ka mbështetur Izraelin edhe në kufijtë me Libanin, duke mos kundërshtuar sulmet ndaj Hezbollah, dhe pavarësisht incidenteve që kanë përfshirë sulme ndaj kishave dhe qyteteve palestineze, nuk ka ndërprerë asnjëherë ndihmën financiare.

Ndërkohë, situata humanitare në Gaza përkeqësohet, dhe Netanyahu po planifikon të aneksojë zyrtarisht Bregun Perëndimor, duke lidhur këtë me mungesën e përparimit në armëpushimin me Gazën.

Ndërsa Netanyahu po humbet mbështetje në SHBA, sondazhet brenda Izraelit tregojnë se shumica e hebrenjve izraelitë mbështesin dëbimin me forcë të palestinezëve nga Gaza.

Në Jordani dhe Egjipt po rritet zemërimi ndaj Izraelit për shkak të vuajtjeve të palestinezëve të uritur dhe të mbajtur në kushte të mjerueshme. Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi i ka bërë një apel të rrallë Trumpit për të ndaluar luftën në Gaza, duke theksuar se mbarimi i gjenocidit është i nevojshëm jo vetëm për arsye morale, por edhe strategjike./kb

 

Të fundit

Sfidë dramatike në Islandë, Vllaznia i jep lamtumirën Evropës pas kohës shtesë

Vllaznia është eliminuar nga Europa pasi është mundur pas kohëve shtesë me shifrat 4-2 nga Vikingur në ndeshjen e...

Kualifikime historike, Dinamo dhe Egnatia bëjnë detyrën dhe kalojnë në fazën tjetër

Emocione dhe spektakël në Conference League. Dinamo është kualifikuar në turin e 3-të kualifikues të këtij kompeticioni, pasi eleminoi Atletic Escaldes. Pas fitores 1-2...

Çmenduri! Foshnja lind nga një embrion i ngrirë përpara 30 vjetësh

Një çift nga Ohio ka sjellë në jetë një djalë të shëndetshëm nga një embrion i ngrirë për më shumë se 30 vjet, duke...

Një mandat, dy fise, zero shpresë! Telenovela Lapaj-Shabani diskreditoi të rinjtë

Adriatik Lapaj ndërroi sërish mendje! Përpara ditës së zgjedhjeve tha që nëse koalicioni do merrte vetëm një mandat, ai nuk do ta pranonte atë....

Jahti sekret i Bill Gates del në shitje, kushton 645 milionë dollarë

Një nga jahtet më të jashtëzakonshme të ndërtuara ndonjëherë, i quajtur Breakthrough, pritet të dalë për herë të parë në shitje gjatë Monaco Yacht...

Lajme të tjera

Web TV