Nëndetëset që po dërgon Trump afër Rusisë, mund të mbajnë afërsisht 160 koka bërthamore

Presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar që dy “nëndetëse bërthamore” t’i afrohen Rusisë, pa dhënë informacion për llojin e nëndetëses, megjithëse dyshohet se bëhet fjalë për një nëndetëse bërthamore të klasës Ohio, e cila është thelbësore për strategjinë e frikësimit të kundërshtarit.

Edhe pse opinioni publik botëror është mësuar tashmë me deklaratat bombastike dhe veprimet “energjetike” të liderit amerikan, dislokimi i “dy nëndetëseve bërthamore” për shkak të një përplasjeje me ish-presidentin rus, Dmitry Medvedevin përbën lëvizjen më të rrezikshme që është ndërmarrë nga Shtëpia e Bardhë.

Në deklaratën e tij, Trump thekson se ka dislokuar “dy nëndetëse bërthamore në rajonet përkatëse”, pa dhënë detaje për llojin e tyre.

Duhet theksuar se secila nga 71 nëndetëset që posedon marina luftarake amerikane është me energji bërthamore, por kjo nuk do të thotë se të gjitha mbajnë armë bërthamore.

Në ndryshim nga shtetet e tjera, SHBA nuk përdor nëndetëse me naftë apo elektrike, pasi që nga Lufta e Ftohtë është orientuar drejt energjisë bërthamore për shkak të autonomisë më të madhe të funksionimit.

Marina amerikane ka tre lloje nëndetësesh bërthamore, secila me një qëllim të veçantë: nëndetëse strategjike bërthamore, nëndetëse sulmuese dhe nëndetëse bërthamore me raketa lundruese.

Nëndetëset strategjike bërthamore të klasës Ohio janë shtylla kurrizore e strategjisë së frikësimit bërthamor, pasi mbajnë raketa balistike Trident II D5 të lëshuara nga nëndetësja, dhe gjithsej ka 18 të tilla, shkruan theindependent, përcjell Telegrafi.

Grupi i dytë përfshin nëndetëset bërthamore sulmuese, të cilat mund të lëshojnë raketa lundruese, por qëllimi i tyre kryesor janë detyrat “gjuetari-vrasës” për gjurmimin dhe shkatërrimin e nëndetëseve të tjera. Këto përfshihen në klasat Virginia dhe Los Angeles.

Lexo edhe :  Gjykata e apelit shpalli tarifat të paligjshme, Trump: Pa to Amerika do të shkatërrohej

Grupi i tretë përfshin nëndetëset bërthamore me raketa lundruese, ku katër nëndetëse strategjike të klasës Ohio janë modifikuar sipas marrëveshjes New START për të mbajtur 154 raketa lundruese Tomahawk./kb