Një raport historik mbi parandalimin dhe kontrollin global të kancerit të mëlçisë, i udhëhequr nga ekspertë kinezë dhe i botuar së fundmi në revistën mjekësore “The Lancet”, paraqet një udhërrëfyes të ri ndërkombëtar për të trajtuar një problem shëndetësore globale në rritje.
Raporti, i titulluar “Komisioni i ‘The Lancet’ për trajtmin e barrës globale të karcinomës hepatoqelizore: strategji gjithëpërfshirëse nga parandalimi në trajtim”, u publikua më 28 korrik, Ditën Botërore të Hepatitit.
Studimi përfshiu gjithashtu kontribute nga 51 specialistë prej vendeve dhe rajoneve si Japonia, Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Spanja.
Kanceri i mëlçisë, shpesh i quajtur si një vrasës i heshtur për shkak të vonesës së tij të gjatë dhe simptomave delikate të hershme, paraqet një sfidë serioze për sistemet globale të shëndetit publik.
Një gjetje kryesore është ndryshimi i modelit në etiologjinë e kancerit të mëlçisë. Ndërsa hepatiti B dhe C mbeten faktorët dominues të rrezikut, rastet që kanë të bëjnë me sëmundjen steatotike të mëlçisë të lidhur me mosfunksionimin metabolik (MASLD) dhe përdorimin e alkoolit janë në rritje. Zakonet jo të shëndetshme të jetesës, si dietat me sheqer të lartë dhe stili i jetesës që çon në obezitet, po riformësojnë gjithashtu situatën globale të kancerit të mëlçisë.
Pavarësisht nga këto sfida, raporti vlerëson se rreth 60 për qind të rasteve të kancerit të mëlçisë janë të parandalueshme. “Kina ka mbledhur përvojë të vlefshme në parandalim dhe kontroll”, tha Zhou Jian, drejtori i Spitalit Zhongshan në Shangai.
Për të pakësuar rastet e reja dhe vdekjet, raporti propozon një strategji me tre aspekte.
Së pari, përpjekjet parandaluese duhet të përqendrohen në zgjerimin e vaksinimit kundër hepatitit B, promovimin e trajtimit antiviral për hepatitin B e C dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për rreziqet e dietave jo të shëndetshme dhe alkoolit.
Së dyti, ekzaminimi i fibrozës së mëlçisë duhet të integrohet në kontrollet shëndetësore për grupet me rrezik të lartë, si njerëzit me diabet ose obezitet, dhe duhet të ketë një zbatim më të gjerë të testimit joinvaziv.
Së treti, sistemet e trajtimit duhet të forcohen duke përmirësuar qasjen në barna, duke ngushtuar pabarazitë rajonale dhe duke përfshirë kujdesin paliativ në fillim të trajtimit.
Sipas raportit, çdo vit ka rreth 870 000 raste të reja të kancerit të mëlçisë dhe 760 000 vdekje prej tij në mbarë botën . Nëse nuk merren masa efektive parandaluese, barra globale parashikohet të rritet ndjeshëm, me rastet e reja dhe vdekjet që pritet të arrijnë në 1.52 milionë dhe 1.37 milionë deri në vitin 2050.
Në raport parashikohet se arritja e një reduktimi mesatar vjetor prej të paktën 2 për qind në normat e incidencës së standardizuar sipas moshës është e nevojshme për të ndryshuar këtë prirje, duke parandaluar potencialisht 8.8 milionë raste të reja dhe 7.7 milionë vdekje gjatë 25 viteve të ardhshme./kb