Sejfulla Malëshova ishte ndër komunistët e parë, por vite më vonë ai e pësoi shumë keq nga komunizmi.
Ideolog, poliglot e mbi të gjitha, një atdhetar i shquar i mendimit të thellë, Sejfulla Malëshova (Lame Kodra) ishte poet i patriotizmit dhe i luftës për liri. Por, më shumë, Malëshova shkëlqente në përkthimet e shumë prej poetëve të mëdhenj. Sejfulla Malëshova zotëronte 14 gjuhë, dy më pak se Fan Noli, teksa shkruante me shumë merak dhe kritikonte cilindo që mund të deformonte fjalët dhe ligjëratat e gjuhës së bukur shqipe.
Sejfulla Malëshova u lind më 2 mars 1900, i cili u njoh më pas edhe si sekretar i kabinetit “Noli”, ndër komunistët e parë, përkthyes dhe letrar shqiptar. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, kurse studimet e mesme i kreu në Itali në kolegjin “San Demetrio di Corona”. Këtu së bashku me mikun e tij Odhise Paskalin botoi revistën “Studenti Shqiptar”, në të cilën botoi edhe vjershat e tij të para. Më pas ndoqi Fakultetin e Mjekësisë në Romë. Në gjysmën e dytë të vitit 1924 ishte kryesekretar i kabinetit të qeverisë së Fan Nolit. Pas dështimit të Lëvizjes së qershorit emigroi në Bashkimin Sovjetik. Më 1926-1930 ndoqi universitetin Lemonosov të Moskës për filozofi.
Në qershor të 1928 seksioni ballkanik i Kominternit miratoi formimin e një partie komuniste në Shqipëri. Malëshova qe pjesë e programit, për të përkthyer tekstet në bashkëpunim me Llazar Fundon dhe Fan Nolin. Më 1931 bëhet anëtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ndërsa dy vjet më pas u emërua pedagog në universitetin ku kishte studiuar. Në vitin 1934 pranohet në Komintern dhe me këtë detyrë kthehet më 1943 në Shqipëri dhe zgjidhet anëtar i Shtabit të Ushtrisë NAÇL dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit. Më 1944-1946 anëtar i KANÇ-it. Më 1944 kreu detyrën e ministrit për Shtypin, Propagandën dhe Kulturën Popullore. Më 1946-50 u zgjodh deputet. Më 1946-48 qe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Më 1946-47 ministër i Arsimit si dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Pas kësaj u denigrua vazhdimisht për pikëpamjet e tij “oportuniste” dhe u dërgua të punojë punë të ulëta. Prej vitit 1956 u vendos në Fier, ku punoi si magazinier dhe si shitës samarësh.
ANGAZHIMET
Malëshova përktheu atë që ai e quante “abc -në e komunizmit” të Buharinit. Ka lënë dorëshkrim 31 rubairat të përkthyera të poetit pers Omer Khajam, 27 origjinale, 4 apokrife. Nga shënimet që lënë kuptohet se është mbështetur në një variant përkthimor në gjuhën ruse, botuar në Taxhikistan më 1952 prej një orientalisti sovjetik. Në krye të dorëshkrimit gjendet e shkruar Rubajatet e fundit. Në tetor të 1949 nisi bashkëpunimin me Skënder Luarasin dhe Pashko Gecin për përkthimin e fjalorit rusisht-shqip që parashikohej me 21-22 mijë fjalë autorësia e të cilit, kur u botua më 1954, iu mvesh Androkli Kostallarit.
Ndërsa për përkthimet e bëra me mëditje nga Malëshova, nuk dihet ende gama e plotë e teksteve të përkthyera në anonimat, por duke qenë përkthimi e vetmja veprimtari intelektuale që i ishte lejuar nga një urdhëresë selektive e Ministrit të Kulturës Manush Myftiu, nga përkthimet që i dihen, u botuan pa emrin e përkthyesit “Kopshti i qershive” dhe tregime të tjera të Çehovit, prozën poetike “Zgalemi” të Gorkit dhe vjershat e Nikollai Nekrasovit. Më 11 qershor 1971 Sejfulla Maleshova u nda nga jeta dhe u varros në varrezat e vjetra të qytetit. Në vitin 1993 një grup intelektualësh u kujdesen për rivarrimin dhe ceremoninë e munguar për përkthyesin e Internacionales, Gëtes dhe Nekrasovit, apo poetin rebel siç i pëlqente ta quante veten.
Malëshova përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale” Në lëmin letrar, Akademiku Arshi Pipa e përshkruan “babai i letërsisë komuniste në Shqipëri”.
Malëshova është nga të vetmit komunist elitar të luftës që kundërshtoi që në fillim politikat sektare dhe parashikoi diktaturën e ardhshme të Enver Hoxhës. Gjithashtu, ishte komunisti i vetëm shqiptar i kohës që kishte vështrimin nga Perëndimi duke kërkuar edhe zyrtarisht një paritet në qëndrimin ndaj Aleateve të mëdhenj (SHBA, Angli, BS). Për këto arsye, pas luftës u përjashtua gradualisht nga të gjitha postet partiake dhe zyrtare… Kryesekretari i qeverisë së Nolit, miku i Konicës dhe i Odhise Paskalit, studenti i mjekësisë në Romë dhe me pas student i filozofisë në universitetin Lomonosov në Moskë, përkthyesi në shqip i Internacionales, Kryetari i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve… do të shuhej i vetmuar në periferi të Fierit më 11 qershor 1971, ku ishte internuar që në vitin 1956 dhe ku kishte punuar si shitës samarësh apo magazinier. Njëkohësisht një poet patriot dhe rebel, shkrimtar dhe përkthyes i njohur./e.t