I intervistuar nga numri i sotëm i “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello ka folur për Milanin, duke u ndalur te Rafael Leao: “Rafa është një histori më vete. Nuk ka dyshime që është një talent i madh, por deri tani ka qenë shumë i paqëndrueshëm. Ja pra, me Allegrin pres që të jetë më i vazhdueshëm dhe vendimtar. Shenjat e para tashmë janë dhënë.
A nevojitet një qendërsulmues? Epo, para së gjithash është çështje numrash. Te Milani është vetëm Gimenez, i cili në 6 muajt e parë me fanellën kuqezi ka lënë disa dyshime, si edhe shumë të tjerë nga skuadra.
Gimenez ka treguar diçka, por shumë pak në krahasim me shpenzimin e bërë nga klubi dhe pritshmëritë e të gjithëve në momentin e mbërritjes së tij. Duhet thënë gjithashtu se te Milani i sezonit të kaluar pak gjëra funksionuan siç duhet, ndaj ka edhe ai ndonjë justifikim”.
Te “Djalli” po përflitet transferimi i Dusan Vlahovic. A mund të shënojë serbi 20 gola në sezon me kuqezinjtë? Ja si përgjigjet Capello: “I ka realizuar tashmë te Fiorentina. Edhe në vitin e fundit me Max te Juventusi nuk ishte shumë larg (16 gola), ndonëse pati një periudhë me vështirësi të përgjithshme.
Dusan është një qendërsulmues tipik, e ka golin brenda vetes, nëse rifiton besimin dhe krijon rastet e duhura. E kam thënë disa herë, do të vinte te Milani me dëshirën për të treguar veten sërish dhe me më pak presion. Këto nuk janë dy detaje pa rëndësi…” m.p.