Në shënjestër të së djathtës, hotelet për azilkërkues në Britani janë vende frike e kaosi

Në mes të një shpërthimi racizmi dhe lufte kulturore, çështja se pse përdoren hotelet për strehimin e azilkërkuesve shpesh mbetet në hije.

Daniel Trilling

Gjatë kësaj vere, një pjesë e së djathtës britanike është sjellë sikur dëshiron një përsëritje të trazirave raciste të vitit të kaluar. Teksa politikanët dhe komentuesit ulërijnë për një “Britani në prag shpërthimi” – janë duke na paralajmëruar, apo duke e dëshiruar? – ekstremistët e së djathtës së skajshme kanë qenë aktivë në përpjekjet për të nxitur dhunë. Sivjet, ata kanë përqendruar vëmendjen te hotelet ku strehohen azilkërkuesit – një temë ku frika publike ndaj krimit, emigracionit dhe sistemit të mirëqenies sociale përputhen në mënyrë të “dobishme” për axhendën e tyre.

Në disa zona, aktivistët e së djathtës janë bashkuar me protesta që kanë filluar për shkak të pakënaqësive lokale. Më e rëndësishmja këtë vit ishte ajo në Epping, në Essex, pas një sulmi seksual të supozuar nga një azilkërkues, e cila u përshkallëzua në dhunë kur iu bashkuan anëtarë të grupeve të ekstremit të djathtë. Një model i ngjashëm ndodhi në Canary Wharf të Londrës, pas thashethemeve të rreme se disa nga banorët e hotelit në Epping do të zhvendoseshin atje. Në raste të tjera, vetë ekstremistët e së djathtës kanë organizuar protestat. Në rrjetet e tyre online është bërë thirrje për protesta në disa pjesë të Anglisë këtë fundjavë.

Nuk është shumë e mundshme – megjithatë jo e pamundur – që përfundimi të jetë në shkallën e trazirave të verës së kaluar, që u ndezën nga një vrasje tronditëse dhe më pas nga përhapja masive e keqinformimit dhe teorive të konspiracionit mbi identitetin e vrasësit. Por aktivistët antifashistë me të cilët kam folur mendojnë se mund të ketë trazira më të vogla, si ato në Epping dhe në Knowsley të Merseyside në vitin 2023 – dhe se, në çdo rast, kjo do të sigurojë që çështja e hoteleve për azilkërkues të mbetet një temë e nxehtë për muajt që vijnë.

Por pse po strehohen azilkërkuesit në hotele?

Një pyetje që shpesh mbetet pa përgjigje është: pse po strehohen azilkërkuesit në hotele? Para vitit 2020, ky fenomen pothuajse nuk ekzistonte, por në kulmin e tij në vitin 2023, kishte më shumë se 55,000 njerëz që prisnin muaj të tërë në hotele për t’u shqyrtuar kërkesa e tyre për azil. (Sot, ky numër ka rënë në rreth 30,000.)

Disa do të përgjigjen: “Sepse ka shumë njerëz që kërkojnë azil dhe nuk kemi burime për t’i mbështetur.” Kjo është e pasaktë. Edhe pse Britania ka parë rritje të aplikimeve për azil vitet e fundit, sipas Migration Observatory të Universitetit të Oksfordit, ato nuk janë të jashtëzakonshme në krahasim me vendet e tjera evropiane. Megjithatë, Britania mbështetet më shumë në akomodimin në hotele sesa çdo fqinj i saj.

Tre vendime politike që na çuan këtu

Izolimi ekonomik i azilkërkuesve (qeveria Blair)

Qeveria e Tony Blair vendosi që azilkërkuesit të bëhen të varur nga ndihma shtetërore. Deri në mes të vitit 2002, ata mund të punonin nëse prisnin më shumë se gjashtë muaj për përgjigje. Por nën presionin e mediave që i akuzonin se “u merrnin punën britanikëve”, kjo mundësi u ndalua. (Në shumë vende të tjera evropiane, azilkërkuesit ende lejohen të punojnë pas një periudhe pritjeje.)

Lexo edhe :  Papagalli inteligjent hyn në Guinness për aftësitë e tij të ralla në dallimin e ngjyrave

Privatizimi i strehimit (qeveria Cameron-Clegg)

Në fillim, azilkërkuesit strehoheshin nga departamentet e banesave të komunave lokale. Por qeveritë vendosën ta privatizojnë këtë sistem, gjë që filloi në fund të viteve 2000 dhe u përforcua në 2012 nga koalicioni i Cameron dhe Clegg. Kompanitë private, që tani menaxhojnë shumë shërbime publike, shpesh ofronin strehim të dobët dhe me kosto të lartë. Shteti ishte i detyruar të rishkruante kontratat – por problemet vazhduan, duke çuar në përdorimin në rritje të “akomodimit të përkohshëm” si hotelet.

Sabotimi i sistemit të azilit (qeveritë Johnson–Truss–Sunak)

Gjatë izolimit të parë për shkak të Covid-19 në vitin 2020, azilkërkuesit u vendosën në hotele për arsye shëndetësore. Kjo përkoi me rritjen e kalimeve përmes Kanalit Anglez me gomone – pasi mundësia për të hyrë me kamionë ishte më e kufizuar. (Shumë prej atyre që zgjedhin këto rrugë nuk kanë mundësi për skema të sigurta rivendosjeje, si ajo e refugjatëve ukrainas.)

Në vend që t’i nxirrte nga hotelet dhe t’i vendoste në strehime më të përshtatshme pas pandemisë, qeveria vazhdoi t’i mbante aty, ndërkohë që përpiqej të ndërtonte kampuse të ngjashme me burgje si alternativë – shumica e të cilave nuk u realizuan kurrë. Në të njëjtën kohë, lejoi që dosjet e azilit të grumbulloheshin dhe më pas u përpoq t’i bllokonte të drejtën për azil, duke shpallur se azilkërkuesit do të deportoheshin në mënyrë të përhershme në Ruandë – një plan që gjithashtu nuk u realizua kurrë.

Një pasojë e tregut, kursimeve dhe populizmit

Të gjitha këto vendime kanë çuar në një realitet ku më shumë azilkërkues jetojnë më gjatë në më shumë hotele, në më shumë pjesë të vendit. Në thelb, kjo është një histori e kursimeve buxhetore dhe forcave të tregut, që krijuan një krizë, e cila më pas u përkeqësua nga politikanët që kërkonin zgjidhje të shpejta ose dikë për t’i fajësuar. Nëse kjo tingëllon e njohur, është sepse është e njëjta histori që gjejmë edhe në spitalet, shkollat dhe shërbimet e tjera publike.

A do të flasim për problemin e vërtetë?

Kjo mund të ishte një mundësi për të pyetur: çfarë ka shkuar keq me shtetin dhe si mund të funksionojë më mirë për të gjithë? Qeveria e Keir Starmer ka premtuar se do të ndalojë përdorimin e hoteleve deri në vitin 2029, duke investuar në sistemin e azilit dhe duke reduktuar kalimet me gomone.

Por nëse nuk është e gatshme të hapë një dialog më të thellë, e djathta është mëse e gatshme të ofrojë përgjigjet e saj joshëse, por shkatërruese.

*Daniel Trilling është autor librash/ “The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi