Bie Euro, forcohet Leku! Faktorë kryesorë, turizmi dhe remitancat

Euro ka vijuar të dobësohet ndaj Lekut, duke arritur nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit.

Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, java e kaluar u mbyll me 97.22 lekë për një euro.

Kjo tendencë ka ulur vlerën e të ardhurave për qytetarët që paguhen në euro, ndërsa ka sjellë lehtësim për familjet që shlyejnë kredi në këtë valutë.

“Një prezencë e lartë e euros në vend padyshim që ka çuar në zhvlerësimin e saj dhe kemi arritur në nivelet që nuk i kemi parë më parë. Megjithatë duhet theksuar se vitin e fundit ka qenë relativisht stabël”, u shpreh eksperti i Vaka.

Vakaj rendit një sërë faktorësh që po ndikojnë në raportin mes lekut dhe euros.

“Rritja e turizmit dhe remitancat kanë qenë në nivele të larta. E kombinuar me një tkurrje të shpenzimeve qeveritare, si enti kryesor shpenzues, ka ndikuar në ulen e euros”, tha ai.

Zgjerimi i sezonit turistik po ndihmon në zbutjen e luhatjeve të forta të monedhës evropiane.

“Prezenca e turistëve në vend është shtrirë gjatë gjithë vitit. Nga të dhënat zyrtare janë tregues të drejtpërdrejtë që tregojnë numrin e lartë të turistëve dhe shpenzimeve dhe konsumit nga ana e tyre”, tha eksperti.

Rënia e euros sjell përfitime për bizneset që importojnë nga eurozona, duke ulur kostot e tyre. Po ashtu, qeveria dhe institucionet publike lehtësohen, pasi kostoja për shlyerjen e borxheve në euro ulet, duke çliruar fonde për shpenzime të tjera./rtsh.al