Ngërçi fëminor mes SHBA-së dhe Rusisë duhet të zgjojë opinionin publik nga gjumi për një rrezik që, në shumë mënyra, është më i madh se gjatë luftës së ftohtë.
Simon Tisdall
Armët bërthamore – kërcënimi i tyre vdekjeprurës, historia e tyre e errët dhe përhapja në të ardhmen – janë sërish në krye të lajmeve dhe, si zakonisht, lajmet janë shqetësuese, në kufijtë e dëshpërimit. Vendimi i Rusisë javën e kaluar për të braktisur formalisht traktatin e vitit 1987 për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), që ndalonte raketat bërthamore me rreze të mesme dhe të shkurtër, përfundon rrënimin e një shtylle kyçe të kontrollit global të armëve. Kjo do të përshpejtojë një garë të re të çmendur armësh bërthamore në Europë dhe Azi në një kohë kur udhëheqësit amerikanë dhe rusë po provokojnë njëri-tjetrin si fëmijë shkollash.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka kërcënuar vazhdimisht Perëndimin me armë bërthamore gjatë luftës së tij në Ukrainë. Në nëntorin e kaluar, forcat ruse lëshuan raketën e re hipersonike me aftësi bërthamore “Oreshnik” në Dnipro. Ajo udhëton “si një meteor” me një shpejtësi dhjetëfish më të madhe se ajo e zërit dhe, sipas Putinit, mund të arrijë çdo qytet në Europë – një shkelje e qartë e traktatit INF, nëse është e vërtetë. Moska e fajëson vendimin për të braktisur traktatin mbi veprimet armiqësore të NATO-s. Por në praktikë, ajo e ka anashkaluar traktatin prej kohësh, veçanërisht duke vendosur raketa në Kaliningrad dhe Bjellorusi.
Megjithatë, Rusia ka një farë të drejte në lidhje me NATO-n. Donald Trump e prishi traktatin INF që në vitin 2018. Pas kësaj, ndodhi një rritje masive e raketave, avionëve dhe bombave me kapacitete bërthamore të prodhuara nga SHBA në vendet europiane të NATO-s – çka ka alarmuar me të drejtë Moskën. Duhet të alarmojë edhe europianët. Në vitet 1980, vendosja e raketave amerikane Pershing dhe Cruise shkaktoi protesta të fuqishme në të gjithë kontinentin. Ndërsa sot, përballë rrezikut të afërt të katastrofës – ora e Apokalipsit tregon vetëm 89 sekonda deri në mesnatë – publiku hesht në mënyrë të çuditshme.
Deklarata dramatike e Trump javën e kaluar se kishte afruar në mënyrë të fshehtë nëndetëset bërthamore amerikane afër Rusisë erdhi si përgjigje ndaj kërcënimeve të hapura nga ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, një i besuar i Putinit. Ishte një moment tjetër i frikshëm. Por ky ngërç fëminor mund të shërbejë për një qëllim nëse zgjon opinionin publik europian për rrezikun në rritje të përplasjes bërthamore. Ndoshta njerëzit janë bërë të shkujdesur; ndoshta kanë shumë shqetësime të tjera. Ndoshta qeveri si ajo britanike – e dyshuar për fshehjen e bombave bërthamore amerikane në një bazë ajrore në Anglinë Lindore – po heshtin sërish. (Qeveria britanike refuzon të deklarojë nëse në bazën RAF Lakenheath ndodhen apo jo armë bërthamore amerikane.)
Cilado qoftë arsyeja, u takon fëmijëve të luftës së ftohtë – bijave të Greenham Common-it, trashëgimtarëve të protestuesve kundër bombës, aktivistëve të palodhur të CND-së – të paralajmërojnë më me zë të lartë: kjo rrugë çon në zhdukje. Por pse janë vetëm ata që e japin alarmin? Gjithçka po përsëritet – vetëm se këtë herë është më keq, dhe të gjithë janë objektiva. Nëse nuk frenohet, arsenali shumë më i fuqishëm i sotëm mund ta shndërrojë planetin në një fushë vrasjeje universale. Ceremonitë e javës së kaluar për përkujtimin e 80-vjetorit të bombardimeve atomike në Hiroshima dhe Nagasaki duhet të shihen si paralajmërim, jo vetëm si kujtim.
Ndërtimi i kapaciteteve bërthamore në Europë po përshpejtohet. SHBA tashmë ruan bomba bërthamore në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Itali dhe Turqi. Tani edhe Britania ka ofruar hapësira – dhe po blen avionë luftarakë me kapacitete bërthamore. Gjermania do të presë raketat Tomahawk dhe ato hipersonike vitin tjetër. SHBA po zgjerojnë bazat e raketave në Poloni dhe Rumani. Vende të NATO-s si Danimarka dhe Norvegjia po marrin pjesë në ushtrime raketore me qëllim, ndër të tjera, “kontrollin” e Baltikut.
E gjithë kjo justifikohet në emër të vetëmbrojtjes, kryesisht ndaj Rusisë së Putinit. Po ashtu, edhe vendimi i NATO-s në qershor për të rritur buxhetet kombëtare të mbrojtjes në 5% të PBB-së. Panorama globale nuk është më pak shqetësuese. Nëntë shtetet që zotërojnë armë bërthamore – Britania, Kina, Franca, India, Izraeli, Koreja e Veriut, Pakistani, Rusia dhe SHBA – shpenzuan 100.2 miliardë dollarë vitin e kaluar, ose 3,169 dollarë në sekondë, për armët bërthamore, sipas organizatës ICAN. Kjo është një rritje prej 11% krahasuar me vitin 2023.
Sipas planit të propozuar buxhetor të Trump për vitin 2026, SHBA – tashmë shpenzuesja më e madhe – do të rrisë fondet për forcat e saj bërthamore, përfshirë raketën e re interkontinentale Sentinel, me 26% në 87 miliardë dollarë. Ndërkohë, Kina ka më shumë se dyfishuar arsenalin e saj që nga viti 2020 – tani mbi 500 koka bërthamore.
A ka ndonjë që nuk e kupton se ku po shkon kjo situatë? Për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, Europa, Azia dhe Lindja e Mesme po shndërrohen në fusha të mundshme lufte bërthamore – me ndryshimin që tani bombat dhe raketat atomike nuk shihen më si faktorë frikësues, por si armë sulmuese për të fituar luftëra. Përhapja e kokave bërthamore me fuqi të ulët, taktike, supozohet se e bën të mundur luftën “e kufizuar” bërthamore. Por sapo të kapërcehet kjo vijë e kuqe, mund të nisë një zinxhir i pakontrollueshëm ngjarjesh.
Rënia e marrëveshjeve për kontrollin e armëve – traktati New START është i radhës që pritet të skadojë në shkurt 2026 – po shkatërron çdo rrjet sigurie. Shtetet nënshkruese të traktatit të mospërhapjes bërthamore janë të detyruara “në mirëbesim” të çarmatosen gradualisht; në vend të kësaj, po riarmatosen me ritme alarmante. Sistemet e çhumanizuara të inteligjencës artificiale mund ta rrisin rrezikun e një Apokalipsi aksidental. Shtetet e pabindura si Izraeli
Përgatiti për botim: L.Veizi