Me not nga Maroku drejt Ceuta, autoritetet në alarm për sistemet e pritjes së emigrantëve

Rreth 100 persona, përfshirë disa fëmijë, rrezikuan jetën mëngjesin e së shtunës duke u përpjekur të notonin nga Maroku drejt Ceuta, enklavës afrikane në veri të Spanjës, ndërsa autoritetet paralajmëruan se sistemi i mbingarkuar i pritjes është në prag të rënies.

Në javët e fundit ka pasur rritje të numrit të personave që përpiqen të hyjnë në Ceuta, ku vetëm më 26 korrik ka pasur mbi 50 fëmijë që notonin nga Maroku.

Të shtunën, dhjetëra njerëz u kapën nga autoritetet teksa përpiqeshin të arrinin enklavën, raporton The Guardian. Shtatë fëmijë mbërritën në breg ku kaluan në duart e autoriteteve rajonale.

“Rreth 100 persona u përpoqën të hynin duke shfrytëzuar motin me mjegull që e vështirëson të parit të njerëzve”, tha një zëdhënës i delegacionit të qeverisë spanjolle në Ceuta. “Por ata nuk ia dolën sepse  forcat e sigurisë së Marokut dhe Garda Civile e Spanjës, duke bashkëpunuar me varka shpëtimi, i  ndaluan të  arrinin në Ceuta.”

Ai konfirmoi mbërritjen e shtatë fëmijëve.

Zakonisht, njerëzve u duhet të notojnë nga bregu maroken drejt rrymave dredharake të ngushticës së Gjibraltarit për të arritur në gardhet e gjata kufitare në det që ndajnë Ceuta nga Maroku.

Emigrantët mund të kapen lehtësisht kur janë pak, ndaj përpiqen që të jenë të shumtë në numër dhe hyjnë në mot me mjegull apo gjatë natës. Ata që kapen rikthehen në Marok.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit të Kombeve të Bashkuara, vitin e shkuar, 572 persona vdiqën ose humbën duke u përpjekur të hynin në Spanjë nga Afrika veriore, kurse 155 persona kanë  humbur jetën këtë vit, nga të cilët shtatë fëmijë./kb