Rama kështu, Sala ashtu, SPAK-u kështu…

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ardian Vehbiu

Ca miq të mitë në FB i shoh që postojnë vetëm për politikë. Më duket çudi që politika zë në jetën e tyre kaq shumë vend, sa të mos i lërë të duan të bisedojnë për gjë tjetër. Rama kështu, Sala ashtu, SPAK-u kështu…Dhe më keq akoma, kur diskutojnë për çfarë kanë thënë një natë më parë “ekspertët” televizivë, sërish për politikë.

Kjo mbase është normale për politikanët, të cilët ia kanë kushtuar jetën këtij misioni, fundja edhe për gazetarët që merren me politikë. Ajo që më tremb, është mos këta miq të mitë kanë filluar të besojnë që politika është e vetmja temë, për të cilën ia vlen të dilet e të flitet në publik.

Një mundësi tjetër, është ajo që e quajnë “selection bias” – këtë preokupim obsesiv me politikën e kanë jo të gjithë, por MIQTË E MI në FB; në kuptimin që ka diçka, te këta miq të mitë, që i bën të interesohen shpesh për gjëra politike, edhe pse unë vetë me politikë nuk merrem shumë. Jo sepse jam apolitik, dhe as sepse nuk më intereson, përkundrazi; por vetëm ngaqë gjykoj se nuk kam ndonjë gjë të madhe për të thënë në publik; ose, edhe më mirë, ngaqë besoj se gjërat jo-politike me të cilat merrem dhe për të cilat flas kanë më shumë vlerë, edhe për mua edhe pë lexuesit.

Gjithsesi, jeta ime – e përditshmja – nuk rrotullohet rreth politikës. Merrem me punët e mia, përpiqem të shpenzoj energji mendore atje ku e kam pasionin dhe ekspertizën, përndryshe e kaloj kohën me hobby-t e mia dhe me njerëzit e afërt. Besoj se me shkrimet që botoj, librat e mi dhe revistën “Peizazhe të fjalës” që drejtoj, jap aq sa mundem, për interesin publik. Dua të them – nuk jam njeri indiferent. Thjesht ngaqë jam mësuar të komunikoj rregullisht me publikun, më duket pak e çuditshme mania – e miqve të mi por jo vetëm – për t’iu përmbajtur rigorozisht politikës.

Edhe në ca grupe chat-i ku më kanë futur, shoh që miqtë e mi i fillojnë dhe i mbarojnë muhabetet me politikë – ç’thotë Sala, ç’thotë Trump-i, ç’thotë Edi, e kështu me radhë. Përshtypja që kam është se për të gjithë këta, njerëz që janë profesionistë të mirë në fushat e tyre dhe që i kanë mundësitë të çojnë një jetë të pasur me aktivitete dhe hobby, politika është shndërruar në një imponim – si të ishte një emërues i përbashkët, për interesin jo vetëm publik, por edhe të një grupi social çfarëdo; shpesh duke ia kaluar edhe preokupimit numër një të shqiptarëve, me tapitë, legalizimet dhe kontratat.

Dyshoj se, përtej muhabeteve online dhe në mediat sociale, të gjithë këta miq të mi mbeten kaq të përpirë nga çështjet politike. Do të ishte tmerrësisht e mërzitshme, sikur të ulesha diku për një kafe me një mik të tillë, dhe ky të fillonte të më rokaniste për Edin, për Salën a për Trump-in a për Netanyahun dhe Zhelenskin. Madje edhe sikur miku im të ishte vërtet ekspert në çështje të politikës. Ka një vend për çdo muhabet – dhe miqësia nuk është trualli më i përshtatshëm për të bërë llogje politike dhe as për të replikuar mërzinë e një kanali televiziv “lajmesh”.

Ka nga këta miq të mi që angazhohen në politikë sepse ua kërkon puna dhe interesi; mbase ndonjëri është edhe aktivist partiak, ose vullnetar i llojit patronazhist; ndonjë tjetër mendon se, duke folur pa pushim për çështje të politikës, mund të pëlqehet nga dikush a t’i shërbejë karrierës së vet.

Ka pastaj të tjerë që e kalojnë vërtet kohën duke ndjekur – pa nevojë – debatet politike në televizion e në portalet; dhe ashtu nuk u mbetet më vend në intelekt për tema të tjera. Këta do t’i quaja viktima të interesave politike të pushtetit; jo sepse e vrasin mendjen për konfliktet e ditës, por sepse e bëjnë këtë ashtu siç ua diktojnë mediat.

Një gjë që ndodh rregullisht në Facebook-un tim është kjo: ndodh diçka, një ngjarje, një aksident, një arrestim, një vrasje a një vetëvrasje, një ndërhyrje e politikës në jetën publike – dhe befas ndizet në statuset një zjarr i pakontrollueshëm, ku të gjithë denoncojnë, demaskojnë kërkojnë drejtësi. Ngaqë shumë nga këta që flasin unë i njoh, pak a shumë e di edhe se çfarë do të duan të thonë. Qëndrimet e tyre publike jo vetëm i kanë të parashikueshme, por edhe të tilla që t’i shërbejnë riprodhimit të statusit të tyre përballë të tjerëve, jo diskutimit dhe zgjidhjes së ndonjë çështjeje. Energjia që i mban ndezur këto zjarre kashte është zemërata – ajo që në anglishte e quajnë OUTRAGE; po të vësh re, zakonisht është pikërisht ZEMËRATA që i nxit njerëzit të flasin në publik. Është më e pranueshme – për opinionin anonim – që dikush të protestojë i zemëruar për një çështje çfarëdo, për shembull për plehrat në plazh ose trafikun; se të hapë një muhabet për diçka intelektualisht të këndshme, që ushqen kuriozitetin dhe ngacmon imagjinatën.

Lexo edhe :  Arsyet pse izraelitët kanë mbyllur sytë ndaj Gazës

E kotë të them se kjo që ndodh dëshmon një varfërim të frikshëm të jetës publike; dhe jo vetëm – varfërim edhe të mënyrës si po e konceptojmë jetën publike. Përndryshe nuk e kuptoj dot mirë pse dikush e ka më kollaj të ngrihet dhe të flasë për Trump-in, se për një film që ka parë ose një libër që i ka pëlqyer. Këtë e nxitin edhe portalet, të cilat botojnë rregullisht gjepura që i gjejnë në tabloidët amerikanë, duke informuar lexuesin shqiptar për Prince Harry-n dhe Megan Markle dhe një çift që e kapën në flagrancë gjatë një koncerti të Coldplay. Njëlloj siç thuhet për celebritetet, që janë të tilla sepse janë të mirënjohur, edhe për këto tema do të thuhet se kapin kryetitujt sepse i kanë kapur kryetitujt tashmë.

Edhe ai që seriozisht kërkon të angazhohet në muhabete politike në publik nuk e ka të lehtë; i duhet informacion, dhe këtë informacion nuk ka nga ta marrë tjetër, përveçse nga mediat. Por mediat nuk e japin informacionin në vijueshmëri – duke i ndjekur ngjarjet dita-ditës, në pasojat e tyre; sepse mediave u intereson vetëm reaksioni i çastit, ndaj një skandali ose ngjarjeje tronditëse; dhe zemërata pasuese; mediat USHQEHEN me humorin e keq të konsumatorëve të tyre. Prandaj edhe, sikur të mos mjaftonte monotonia dhe mërzia e muhabeteve politike, kemi edhe disforinë, ose humorin e keq që i shoqëron këto muhabete. Po t’i lexosh ca statuse, të vjen keq për autorët e tyre – të duket sikur po bëjnë një jetë qeni, teksa nuk gjejnë derman nga shqetësimet e njëpasnjëshme e mbase as gjumin nuk e bëjnë të mirë.

Natyrisht nuk është kështu. Nuk më duket se ka ndonjë lidhje mes humorit të keq, negativitetit dhe zymtësisë që përcjellin statuset dhe jetës reale që bëjnë autorët e tyre; njerëz normalë, me halle dhe gëzime normale, që përpiqen të ndërtojnë një jetë sa më të mirë për veten dhe familjarët e tyre, teksa angazhohen – kur munden – edhe për të mirën e përbashkët. Këta autorë statusesh me siguri shohin filma dhe lexojnë libra dhe shëtitin në pyll a në mal dhe venë në kishë, në xhami ose në kazino – por nuk e shohin të udhës të flasin për këto gjëra.

Prandaj kam përshtypjen se këtë mërzi, këtë shkretëtirë të diskursit publik, këtë zbehje kaq ekstreme të interesit publik në njerëz që unë i njoh dhe i vlerësoj, po e shkakton një përçudnim madhor në mënyrën si po e përfytyrojmë angazhimin publik – dhe pikërisht, si interesim për gjepurat politike që na shërbejnë mediat; dhe që nuk kanë të bëjnë, në përgjithësi, as me politikën e mirëfilltë, as me problemet politike me të cilat sfidohet klasa politike – edhe në pushtet edhe në opozitë. Mediat i kanë sendërtuar politikanët në diçka mes kreshnikëve të Eposit dhe figurave komike, prej teatri kukullash; në mënyrë të tillë që çdo muhabet politik, edhe në mediat edhe në rrjetet edhe mes miqve, të degradojë sakaq në folklor. Ky folklor i ka edhe rapsodët e vet, tek “të rregulltit” e emisioneve të mbrëmjes, të cilët tani ndërrojnë vetëm xhaketat, por jo muhabetet që bëjnë.

Nuk do të kishte gjë të keqe, sikur interesi publik për politikën t’i mbyste interesat e tjera; por shoh shumëçka për t’u shqetësuar, kur njerëzit po besojnë – sinqerisht – se vetëm kështu mund të bëhen relevantë për jetën publike. Për mua, përkundrazi, ky lloj angazhimi, nga një zemëratë në tjetrën, nga një indinjatë në tjetrën, është mënyra më e mirë sot për sot për të luajtur lojën e atyre që kanë në dorë edhe gurin edhe arrën; dhe për të mbetur irrelevantë ndaj çështjes publike./E.T

Të fundit

Durrësi i mbushur me pushues!/ Rama publikon videon dhe ironizon Berishën

Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje nga plazhi i Durrësit, ku duken shumë pushues duke shijuar detin. Në postimin...

Kali i lidhur mes flakëve të Ferrit!

Alban Daci Ngjarjet e rënda  edhe të formës së tragjedisë, edhe pse shpesh njerëzimi është përpjekur t’i evitoi, shpesh ata kanë ndodhur, për shkak se...

Situata nga zjarret vijon në ‘alert’, 23 vatra aktive! Zonat që ende po digjen nga flakët

Pas angazhimit të forcave të emergjencave, situata nga zjarret paraqitet e stabilizuar në shumë zona problematike. Aktualisht janë raportuar 23 vatra zjarri aktive. Po punohet...

Murrizi i përgjigjet Arben Malajt/O Ben piramida, kukuvajkë që e shet veten për një rrogë

Myslim Murrizi ka reaguar ashpër ndaj Arben Malajt, pasi ky i fundit replikoi me të për çështjen e Bankersit. Replikat e Murrizit Paska çar satokartin Ben...

Zjarret në Delvinë/ Kali i djegur merret nën kujdes veterinar pas traumës nga flakët

Pamjet e një kali të djegur nga zjarret masive në Delvinë, të regjistruara më 13 gusht, kanë shpërndarë shqetësim të madh në rrjetet sociale...

Lajme të tjera

Web TV