Italia fuqizon ekonominë ushtarake

Tregtia e armëve nuk është më vetëm çështje industriale apo gjeopolitike, ajo mbetet një strukturë ekonomike që përfshin qeveritë dhe territoret, një sistem i konsoliduar, në rritje, që funksionon dhe lëviz miliarda. Mbetet e vështirë të dallosh ku mbaron prodhimi, cili është qëllimi dhe strategjia ushtarake që do të ndiqet.

Nga Roland Tashi, ekspert i çështjeve të sigurisë

Është e rëndësishme të evidentojmë fillimisht pozicionin e Italisë në Aleancën Atlantike, ekonominë e saj ushtarake, si dhe bashkëpunimin që ka me vendin tonë në fushën e ekonomisë dhe mbrojtjes, ku vend kryesor ka mbikëqyrja dhe mbrojtja e hapësirës ajrore.

Italia është anëtare e NATO-s, e krijuar në vitin 1949 si një aleancë ushtarake kolektive për mbrojtjen e vendeve anëtare kundër kërcënimeve ushtarake, duke qenë një nga shtetet themeluese të kësaj organizate.

Si një nga fuqitë ushtarake kryesore në Europën Jugore, Italia luan rol të rëndësishëm në strukturën ushtarake dhe strategjike të aleancës, ajo kontribuon me forca të armatosura, si dhe me kapacitete të avancuara teknologjike në fushën e mbrojtjes ajrore, detare dhe tokësore.

Në vendin fqinjë janë të vendosura disa baza ushtarake të rëndësishme të NATO-s, forcat e saj të armatosura kanë përgjegjësi kryesore në menaxhimin dhe koordinimin e disa rajoneve strategjike, veçanërisht në Mesdhe dhe në Europën Jugore.

Në fushën ushtarake, forcat ajrore italiane punojnë ngushtë me strukturat shqiptare të mbrojtjes, kryesisht në monitorimin, patrullimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore nga kërcënimet e sigurisë, në trajnimin e pilotëve dhe në mbështetjen teknike për sistemet e radarëve, në shkëmbim informacioni dhe koordinim për të siguruar një mbrojtje efektive të hapësirës sonë ajrore.

Italia është një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në vendin tonë, me investime në sektorë si industria, ndërtimi, shërbimet dhe sektori financiar.

Marrëdhëniet ekonomike sjellin përfitime të ndërsjella, Italia e përdor vendin tonë si një pikë strategjike për prodhimin dhe eksportin në rajon, ndërsa vendi ynë përfiton nga transferimi i teknologjisë, investimet dhe krijimi i vendeve të punës.

Të gjitha këto të dhëna, për të kuptuar se marrëdhëniet tona mund të zhvillohen edhe në sektorin ushtarak, duke ndikuar jo vetëm në mbrojtjen e vendit, por edhe në forcimin e ekonomisë.

Le të kthehemi tek Italia, për të njohur rolin që luan industria ushtarake në ekonominë e përgjithshme të këtij vendi.

Europa përgatitet për rishikimin e strukturave dhe buxheteve ushtarake, fuqizim dhe shtim të arsenaleve ushtarake, në disa raste në pozicione dhe interesa të ndryshme.

Ndërkohë që në Bruksel diskutohet, Italia tashmë ka ndërtuar një ekonomi ushtarake të vetën. Gjatë vitit 2024, autorizimet për lëvizjen e materialeve të armatimit arritën në vlerën 8.4 miliardë euro.

Nga kjo shifër, sipas raportit të fundit parlamentar, 7.69 miliardë u destinuan për eksport ndaj klientëve të huaj, ndërsa pjesa tjetër, pak më pak se 744 milionë, për import.

Indonezia, Franca dhe Nigeria janë tre destinacionet kryesore, ndërkohë që Ukraina zbriti në vendin e 11-të.

Gjithashtu janë në rritje transaksionet bankare lidhur me operacionet ushtarake. Vitin e kaluar, flukset financiare të lëvizura kaluan vlerën 12 miliardë.

Cilët janë klientët e Italisë për eksportin e armëve?

Vetëm një vend ka marrë autorizime për më shumë se 1 miliard euro, Indonezia. Kjo shifër lidhet me kontratën e firmosur në muajin mars ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Indonezisë dhe Fincantieri, kompani e madhe italiane e industrisë detare, për furnizimin me dy anije patrulluese detare.

Anijet ishin fillimisht të porositura për Marinën Ushtarake italiane dhe janë aktualisht në ndërtim në kantieret e integruara të Riva Trigoso dhe Muggiano, në Liguria.

Por lista e vendeve ku Italia tregton armë është e gjatë.

Në vendet e para janë Franca, me blerje që kap vlerën prej 591 milionë eurosh, ndërsa Nigeria, me 480 milionë licenca, mbetet surprizë në renditjen e vitit 2024, kur vitin e kaluar, blerjet e saj ishin vetëm 93.2 milionë euro.

Ukraina, nga ana tjetër, zbriti në vendin e 11-të, nga vendi i dytë që ishte në vitin 2023.

Kompanitë lider të industrisë ushtarake

Leonardo është një ndër kompanitë më të mëdha dhe më të rëndësishme në Itali në fushën e industrisë së mbrojtjes, hapësirës ajrore dhe sigurisë. Leonardo është kompania që ka eksportuar më shumë armë, me vlerë 1.7 miliardë euro, duke përbërë 27.7% të totalit.

Lexo edhe :  Terroristët në stadium, Vuçiç shpërblen njerëzit e Radoiçiç që kërkohen në Kosovë

Pas saj vjen Fincantieri, me 1.4 miliardë euro (22.6%).

Në vendin e tretë dhe të katërt janë Rheinmetall Italia (6.60%) dhe Mbda Italia (6.25%).

Këto katër kompani përbëjnë rreth 63.14% të vlerës monetare të shkëmbimeve. Renditjen plotësojnë edhe Naviris, Avio, So.Ma.Ci.S dhe Fabrika e Armëve Pietro Beretta.

Sipas analizës së Zyrës së Studimeve të Mediobanca, 100 kompanitë kryesore industriale italiane të mbrojtjes kanë gjeneruar në 2023 një xhiro prej mbi 40 miliardë eurosh, ku pjesa ushtarake përbën 49%. Sektori punëson më shumë se 54,000 punonjës direkt dhe mbi 180,000 të tjerë indirekt dhe në zinxhirin e furnizimit, duke qenë një nga degët me teknologjitë më të avancuara të ekonomisë italiane.

Protagonistët kryesorë të kësaj industrie janë gjithashtu aktorët kryesorë të eksportit; Rheinmetall Italia (sisteme radar, kundërajrore), Mbda Italia (raketa dhe sisteme armësh të drejtuara), Naviris (mbrojtje detare), Avio (kontroll hapësinor), So.Ma.Ci.S (komponentë elektronikë), Knds Ammo Italy (municion i rëndë), Elettronica (luftë elektronike), M.E.S. (mekanikë dhe inxhinieri), Martec (komponentë detarë) dhe Iveco Defence Vehicles (prodhim automjetesh të blinduara).

Së bashku, këto formojnë një ekosistem industrial që shtrihet nga Lombardia, te Friuli-Venezia Giulia, përmes Ligurias, Lazios dhe Emilia-Romagnas.

Çfarë eksporton Italia?

Në vitin 2024, artikulli kryesor i eksportit ishin aeroplanët, me një vlerë prej 1.27 miliardë eurosh, ndjekur nga anijet e luftës me 1.26 miliardë euro.

Nën 1 miliard euro janë bombat, torpedot, raketat, raketat e drejtuara (825 milionë), pajisjet elektronike (697 milionë), armët me kalibër mbi 12.7 mm (661 milionë), teknologjia për prodhimin (461 milionë), municioni (433 milionë), automjetet tokësore (303 milionë) dhe armët me kalibër nën 12.7 mm (205 milionë).

Në mënyrë më të përgjithshme, nga raporti del që 81.3% e armëve të eksportuara lidhen me kategorinë “materiale”, 12% me “teknologji”, 3.4% me “shërbime” dhe 3.3% me “pjesë këmbimi”.

Në të dhënat e 2024 thuhet se nuk figuron Izraeli, pasi karakteristikat e ndërhyrjes izraelite në Gaza kanë bërë që Autoriteti Kombëtar të mos japë autorizime të reja për eksport, sipas ligjit përkatës.

Italia vazhdon të blejë nga Izraeli. Kjo e bën më komplekse nga ana gjeopolitike listën e vendeve nga të cilët qeveria Meloni blen armë.

Në 2024, Italia importoi armë me vlerë rreth 743 milionë euro, një rënie nga 1.2 miliardë euro në 2023. 24.7% e importeve vijnë nga Shtetet e Bashkuara (184 milionë euro), 20.8% nga Izraeli, 15% nga Zvicra dhe 11.6% nga Mbretëria e Bashkuar dhe India. Të tjerat së bashku nuk arrijnë në 10% të totalit.

Italia ka blerë gjithçka përveç teknologjisë. 93.8% e importeve të armëve janë “materiale”, 3.5% “shërbime” dhe 2.7% “pjesë këmbimi”.

Në detaje, qeveria Meloni ka autorizuar blerje me vlerë 340 milionë euro për municione, bomba, torpedo dhe raketa, 84 milionë për pajisje elektronike dhe 76 milionë për armë me kalibër mbi 12.7 mm.

Roli i bankave, flukset financiare mbi 12 miliardë euro

Eksporti ushtarak italian nuk bazohet vetëm në fuqinë industriale, por edhe në një sistem financiar të fortë që lehtëson, garanton dhe shoqëron çdo transaksion.

Në vitin 2024, bankat dhe ndërmjetësit financiarë në Itali bënë mbi 21,500 njoftime për operacione eksporti, importi ose transitimi të materialeve të armatimit.

Në total, flukset financiare kaluan 12 miliardë euro, pak më shumë se vitin paraardhës.

Tre bankat kryesore janë Intesa Sanpaolo, Unicredit dhe Deutsche Bank, të cilat kanë menaxhuar 68.7% të transaksioneve për të ardhurat nga eksportet dhe 83.8% të garancive dhe financimeve të dhëna në vitin 2024.

Një pjesë në rritje e këtyre operacioneve, me vlerë 1.6 miliardë euro, lidhet me programe bashkëpunimi ndërqeveritar dhe licenca globale programesh (+25% krahasuar me 2023).

Tregtia e armëve nuk është më vetëm çështje industriale apo gjeopolitike, ajo mbetet një strukturë ekonomike që përfshin qeveritë dhe territoret, një sistem i konsoliduar, në rritje, që funksionon nën sipërfaqe dhe lëviz miliarda. Mbetet e vështirë të dallosh ku mbaron prodhimi dhe ku fillon strategjia ushtarake./E.T