Nga Leonard Veizi
Muri i Berlinit ishte një plagë e hapur në zemër të Evropës, një ndarje e përgjakur mes dy botëve, ku betoni dhe telat me gjemba shënjonin kufirin midis frikës dhe lirisë. Për shumë të rinj, ëndrra për ta kaluar atë mur ishte drita e vetme në fund të tunelit të diktaturës, por për disa të tjerë, kjo ëndërr u kthye në makthin e fundit. Por dikur historia shkroi një nga faqet e saj më të dhimbshme me vdekjen e një të riu, emri i të cilit u kthye në simbol të mizorisë së Luftës së Ftohtë…
Rrëfimi i një nate të zezë
Ishte 17 gusht 1962. Në vapën e rëndë të një gushti berlinez, qielli dukej po aq i rëndë sa shpirtrat e atyre që jetonin nën hijen e Murit. Atë ditë, një djalosh i ri, vetëm tetëmbëdhjetë vjeç, guxoi të sfidonte frikën. Emri i tij ishte Piter Fekter. Ai dhe shoku i tij, Helmut Kulbejk, u përpoqën të kalonin Murin pranë pikës së famshme “Checkpoint Charlie”. Shoku ia doli. Piter mbeti pas.
Plumbat e rojeve të Gjermanisë Lindore e goditën pamëshirë. Ai ra në “zonën e askujt”, mes telave me gjemba, i gjakosur dhe i braktisur. Sytë e dhjetëra dëshmitarëve nga ana perëndimore shihnin të shastisur një dramë që nuk guxonin ta preknin. Për gati një orë, Peter luftoi për jetën. Një ndihmë mjekësore do ta kishte mbajtur në jetë. Klithmat e tij për ndihmë u dëgjuan nga të dyja anët e Murit. Por askush nuk lëvizi. Ushtarët e Lindjes nuk lejuan, ushtarët e Perëndimit nuk mundën. Nuk kish kush t’i mbante kokën, t’i thoshte një fjalë a t’i dëgjonte amanetet bashke me gulçin e fundit. Dhe kur më në fund jeta iu shua, trupi i tij u tërhoq zvarrë nga ushtarët lindorë me një indiferencë sadiste e kriminale, që e theu zemrën e qytetit.
Nga një emër, në një simbol
Vdekja e Piter Fekter nuk ishte thjesht një akt mizorie kufitare. Ajo ishte një akuza morale e drejtuar ndaj një sistemi që vrau një djalosh vetëm pse guxoi të ëndërronte lirinë. Pamjet e trupit të tij të përgjakur ndezën protesta në Berlinin Perëndimor, jehona e të cilave u përhap në gjithë botën. Regjimi komunist nuk mund ta fshihte dot: bota e lirë kishte parë fytyrën e tij të vërtetë.
Fekter u bë një simbol, një kujtesë e gjallë e çmimit që kërkon liria. Ai nuk e kaloi dot Murin, por e kaloi përfundimisht kufirin e heshtjes, duke shkundur ndërgjegjen e një bote të ndarë. Historia e tij mbetet si një dëshmi e thjeshtë, por e përjetshme: edhe në hijen e shtypjes më të egër, dëshira për liri është e pamposhtur.