Në 80 vjetorin e satirës klasike
Richard Blair për rolin që luajti nëna e tij në zhvillimin e fabulës politike të vitit 1945 – dhe si gati sa nuk u botua fare
Kur Lufta e Dytë Botërore ishte në kulmin e saj, dimri i viteve 1943-1944 ishte një nga më të ftohtit e shekullit. Prindërit e mi jetonin në një apartament me ngrohje të dobët në Kilburn, në veriperëndim të Londrës. Nëna ime punonte në Ministrinë e Ushqimit. Ajo ishte e përfshirë ngushtë me programin “Kitchen Front” të Radios BBC, që përpiqej të ndihmonte njerëzit të përgatisnin vakte ushqimorë nga racionet e kufizuara. Babai im u bë redaktor letrar i revistës Tribune në nëntor 1943. Kërkohej të ishte në zyrë vetëm tri ditë në javë – çka i dha kohë të shkruante Ferma e Kafshëve.
Çdo mbrëmje, babai lexonte për nëntë nënës sime pjesët që kishte shkruar atë ditë, të mbuluar me batanije të trasha në krevat – i vetmi vend i ngrohtë në shtëpi. Ata diskutonin historinë që po zhvillohej dhe ku mund të shkonte më tej. Lettice Cooper, romanciere dhe kolege e nënës në Ministrinë e Ushqimit, kujtonte se nëna çdo mëngjes i përditësonte me aventurat më të fundit të kafshëve. Nuk është për t’u çuditur që prindërit e mi punuan kaq ngushtë bashkë. Babai im e respektonte shumë talentin e nënës dhe më vonë i kishte thënë një miku se ajo e kishte ndihmuar në planifikimin e Ferma e Kafshëve.
Në fakt, për disa vite, nëna ime kishte daktilografuar dhe redaktuar tekstet e babait dhe i kishte dhënë korrigjime e sugjerime të detajuara. Me shumë gjasa, ajo ishte më e përfshirë në këtë vepër sesa në të mëparshmet – madje ndoshta ajo i kishte sugjeruar që libri të ishte një “fabul me kafshë” dhe jo një polemikë politike, siç ishte menduar fillimisht. Si rezultat i punës së tyre në çift, Ferma e Kafshëve, që përfundoi në shkurt 1944, u bë një nga librat më bukur të shkruar të shekullit.
Në një nivel, libri është një satirë gjithmonë e aktuale mbi Revolucionin Rus dhe mbi mënyrën se si ai përfundoi në diktaturën staliniste. Ishte një e keqe që prindërit e mi e njihnin nga afër. Gjatë Luftës Civile në Spanjë, ata kishin parë me sytë e tyre stalinistët të shpifnin, arrestonin, torturonin dhe vrisnin dhjetëra miq e bashkëluftëtarë që nuk ndiqnin vijën zyrtare të partisë sovjetike. Ata vetë u detyruan të arratiseshin nga Spanja nën kërcënimin e arrestimit dhe ekzekutimit. Asgjë nuk i heq iluzionet politike më shpejt se të ndjekesh nga vrasës fanatikë.
Këto përvoja – dhe errësira e pafund e urive, gulagëve dhe spastrimeve staliniste – e bindën babain tim se Rusia Sovjetike nuk kishte asgjë të përbashkët me socializmin e vërtetë. Ai besonte fuqimisht se, për të lulëzuar socializmi demokratik në Perëndim, duhej shpërbërë miti se Bashkimi Sovjetik përfaqësonte socializmin.
Por përpara se Ferma e Kafshëve të botohej, duhej kapërcyer një sërë pengesash serioze.
Në atë kohë, ekzistonte një ngurrim institucional i thellë për të kritikuar Bashkimin Sovjetik, i cili ishte një aleat i rëndësishëm i Britanisë në luftën kundër nazistëve. Kjo klimë shtypej edhe më shumë nga lobimi agresiv i qeverisë sovjetike dhe infiltrimi i gjerë i institucioneve britanike nga agjentë sovjetikë.
Peter Smollett (emri i koduar sovjetik ABO) ishte kreu i marrëdhënieve me Sovjetikët në Ministrinë e Informacionit.
Guy Burgess, spiuni i famshëm i “Cambridge Five”, ishte producent në BBC.
Në këtë klimë, pesë shtëpi botuese të mëdha (të paktën njëra prej tyre e këshilluar nga Smollett) e refuzuan romanin, duke e cilësuar si një sulm të papërshtatshëm ndaj një aleati të luftës.
Edhe Faber, nën drejtimin e TS Eliot, e hodhi poshtë librin me arsyetimin:
“Nuk mendoj se ky është këndvështrimi i duhur për të kritikuar situatën politike në këtë moment.”
Më në fund, në korrik 1944, Fredric Warburg nga Secker & Warburg, i njohur për guximin e tij në botimin e librave të majtë dhe kontraversë, pranoi ta botonte librin.
Megjithatë, për shkak të mungesës së letrës dhe, ndoshta, edhe ngurrimit të vazhdueshëm për të acaruar Rusinë, Ferma e Kafshëve u botua vetëm më 17 gusht 1945.
Kur më në fund doli, babai im u befasua nga sa pak bujë shkaktoi satira e tij e guximshme mbi stalinizmin dhe diktaturën. Por marrëdhëniet me Rusinë kishin filluar të ftoheshin shpejt, dhe siç tha vetë ai, njerëzit ishin tashmë të “ngopur me gjithë këtë budallallëk rus”. Koha e Ferma e Kafshëve kishte ardhur.
Që nga botimi i saj 80 vjet më parë, libri ka shitur mbi 11 milionë kopje dhe nuk ka dalë kurrë nga qarkullimi.
Por Ferma e Kafshëve nuk është vetëm një satirë për Revolucionin Rus. Kjo “përrallë” (siç e quajti babai im) është një paralajmërim i përjetshëm kundër liderëve politikë që kapin lëvizje fisnike për interesa vetjake.
Babai im besonte se çdo politikan duhet të mbikëqyret me kujdes, të përballet me të vërtetën (pa marrë parasysh koston) dhe të përjashtohet kur vë interesat e veta përpara atyre të vendit.
Ferma e Kafshëve ka pasur një jetë të jashtëzakonshme, duke ndikuar në protesta demokratike pas Perdes së Hekurt dhe më vonë në Mianmar, Zimbabve dhe Ukrainë.
Ajo mbetet një frymëzim i paharrueshëm për të gjithë ata që luftojnë për liri.
Në një botë ku autoritarizmi, nacionalizmi, ksenofobia dhe mashtrimet politike po rriten, na duhet Ferma e Kafshëve më shumë se kurrë.
Përgatiti për botim: L.Veizi