Lista Serbe nuk certifikohet për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës – për zgjedhjet lokale të tetorit.

Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të KQZ-së të enjten pasdite.

Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin zëshëm kundër certifikimin të kësaj partie dhe ishin të vetmit që votuan kundër.

Duke folur në mbledhjen, Kurteshi tha se mbi “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Kurteshi e kundërshtoi kandidaturën e Sasha Millosheviqit nga Lista Serbe për kryetar të Novobërdës, duke thënë se ai ishte emëruar nga Qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.

“Ky luan rol dyfish”, tha Kurteshi. “Ky punon në institucione të një shteti që ka synime agresive edhe ushtarake ndaj Republikës së Kosovës”.

Ai ishte emëruar për kryetar të Gjilanit nga Qeveria serbe më 27 shkurt 2020, si “kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Gjilanit”.

Por, Qeveria e Serbisë, më 7 gusht, mori mbi 20 vendime kadrovike për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të institucioneve, mes tyre edhe disa që kanë qenë në krye të organeve të përkohshme për komunat në Kosovë. Ndër të shkarkuarve ishin Sasha Millosheiq, Zoran Todiq nga Leposaviqi, Novak Zhiviq i ngarkuar për komunën e Prishtinës, Goran Dançetoviq, kryetar i komunës së Obiliqit, Bozhidar Dejanoviq nga Vitia, etj.

Lexo edhe :  Rubin: SHBA e donte Thaçin lider, nuk ka prova se vrau njerëz

Anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, tha se Lista Serbe është “dorë e zgjatur e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq” dhe se ajo nuk lufton për interesat e serbëve të Kosovës.

“I lus kolegët e mi të votojmë kundër certifikimit të Listës Serbe”, tha ai. m.p.