Organizata e Hamasit ka shpallur zyrtarisht Gazën në gjendje urie, duke bërë thirrje për hapjen pa kufizime të kalimeve kufitare në mënyrë që të lejohet hyrja urgjente dhe e vazhdueshme e ushqimit, ilaçeve, ujit dhe karburantit në territor.
Në një deklaratë të publikuar të enjten, Hamasi kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga OKB-ja dhe Këshilli i Sigurimit, duke akuzuar Izraelin për përdorimin e “urisë si armë lufte”, një veprim që sipas grupit përbën krim lufte dhe krim gjenocidi sipas ligjit ndërkombëtar.
“Ne i bëjmë thirrje të gjitha kombeve arabe, myslimane dhe vendeve të tjera që të ushtrojnë presion mbi Izraelin për të garantuar futjen e ndihmës emergjente në Gaza,” thuhet në deklaratën e Hamasit.
Situata humanitare në Gaza po përkeqësohet dita-ditës. Një mësues palestinez në një shkollë të improvizuar në Gaza Qendrore i tha BBC-së: “Nxënësit nuk hanë mëngjes. U merren mendtë nga uria. Dua të qaj. Ushqimet janë të pakta dhe të shtrenjta. Nuk ka asgjë të shëndetshme: as mish, as vezë, as fruta”
Ai shtoi se, ndërkohë që mundohet t’u flasë fëmijëve për konceptin e urisë në mësim, po e përjeton vetë çdo ditë. m.p.