Një incident i pazakontë ndodhi në jug të Francës, ku rreth 150 fëmijë izraelitë nuk u lejuan të hynin në parkun aventuror Tyrovol, një destinacion i njohur për aktivitetet sportive dhe rekreative në natyrë.
Sipas raportimeve të mediave lokale dhe ndërkombëtare, menaxheri i parkut justifikoi vendimin e tij duke përmendur “parime personale” të lidhura me luftën në Gaza.
Ai refuzoi të priste grupin e fëmijëve, të cilët ishin në një udhëtim të organizuar në Francë, duke lënë mësuesit dhe organizatorët e aktivitetit të habitur dhe të zhgënjyer, raporton theguardian.
Ky veprim shkaktoi reagime të menjëhershme, dhe rasti u raportua tek autoritetet franceze. Policia ndërhyri dhe arrestoi menaxherin e parkut nën akuzën e diskriminimit për bazë fetare dhe kombëtare, një shkelje serioze sipas ligjeve franceze që ndalojnë çdo formë diskriminimi në hapësirat publike dhe private që ofrojnë shërbime.
Zyrtarë nga komuniteti hebre në Francë dhe ambasada izraelite e kanë dënuar ashpër ngjarjen, duke e cilësuar atë si një akt të papranueshëm që cenon të drejtat e fëmijëve dhe përhap intolerancë në një kohë kur dialogu dhe mirëkuptimi janë më të nevojshëm se kurrë.
Ngjarja ka ndezur debat në Francë për rritjen e tensioneve të ndikuara nga konflikti në Lindjen e Mesme dhe për nevojën që parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit të respektohen në çdo rrethanë./e.t