Në Novosibirsk, Partia Komuniste ka dalë në rrugë jo për ideologji, por për WhatsApp. Qytetarët rusë janë të zemëruar pasi qeveria ndaloi thirrjet në WhatsApp dhe Telegram, duke detyruar përdorimin e messenger-it kombëtar Max, që transmeton të dhënat drejtpërdrejt te “Vëllai i Madh” i regjimit.
Shumë përdorues kanë raportuar se Max nuk funksionon mirë dhe shërben si një mjet spiunimi, por ai është bërë i detyrueshëm në të gjitha telefonat e rinj dhe për punonjësit e administratës publike.
Për të shmangur kontrollin, rusët po përdorin VPN, Google Meet dhe aplikacione të tjera të mesazheve. Në disa rajone, trafiku celular fiket rregullisht për të parandaluar sulmet e dronëve ukrainas, duke e bërë jetën pa internet një realitet të përditshëm.
Kjo ka pasoja të mëdha për ekonominë: Taksistët, picajolët, farmacitë dhe dyqanet nuk mund të funksionojnë pa lidhje, ndërsa qytetarët po tërheqin më shumë para cash për të shmangur ndërprerjet e bankingut online.
Edhe institucionet kulturore janë nën vëzhgim: Teatri Bolshoy ka instaluar softuerin InfoWatch për të monitoruar punonjësit, duke përfshirë e-mailet, mesazhet dhe faqet e vizituara në internet./kb