Armenët hakmeren për genocidin, vrasin në Kanada koloneli turk Atilla Altıkat

27 gusht 1982

Mëngjesin e 27 gushtit 1982, koloneli turk Atilla Altıkat, atasheu ushtarak i Ambasadës së Turqisë në Kanada, u qëllua për vdekje ndërsa po udhëtonte me makinën e tij në rrugët e Otavës. Ai u sulmua në një pritë nga persona të armatosur, të cilët më pas u shpallën si anëtarë të grupit militant armen Komandot e Drejtësisë për Kauzën e Genocidit Armen (JCAG).

Ky atentat nuk ishte i izoluar. Në vitet 1970–1980, organizata të tilla si ASALA (Armenian Secret Army for the Liberation of Armenia) dhe JCAG zhvilluan një fushatë të gjerë ndërkombëtare dhune kundër diplomatëve dhe interesave turke, duke kërkuar njohjen ndërkombëtare të gjenocidit armen të vitit 1915, ku sipas historianëve u masakruan dhe vdiqën rreth 1.2 milion armenë nga perandoria osmane.

Atentatet shënjestruan sidomos ambasadorë, atashe ushtarakë dhe diplomatë turq në Evropë, Amerikën e Veriut, Lindjen e Mesme e deri në Azinë Juglindore. Vetëm gjatë viteve 1973–1986, dhjetëra diplomatë turq u vranë ose u plagosën nga këto grupe.

Ngjarja në Ottawa tronditi thellë opinionin publik kanadez. Ishte hera e parë që një diplomat i huaj vritej në kryeqytetin kanadez. Qeveria e Kanadasë e dënoi ashpër aktin dhe nisi hetime të gjera, por autorët e atentatit nuk u kapën kurrë.

Vrasja e Altıkat u bë simbol i tensioneve të ashpra mes diasporës armene dhe shtetit turk, si dhe një dëshmi e përplasjes së dhunshme mbi kujtesën historike të gjenocidit armen – çështje që deri më sot mbetet një nga plagët më të hapura në marrëdhëniet ndërkombëtare të Turqisë.

Përgatiti: L.Veizi