Doni të dini pse izraelitët janë indiferentë ndaj Gazës? Shihni televizionin e tyre

Roy Schwartz

Ndonjëherë, lajmi më i rëndësishëm është ai që nuk shfaqet fare në tituj. Kjo ndodhi të premten e kaluar në edicionin e lajmeve të mbrëmjes në Channel 13 në Izrael. Vetëm disa orë më parë, një organ ekspertësh mbi sigurinë ushqimore i mbështetur nga OKB publikoi një raport që konfirmonte se uria, në shkallën më të rëndë të saj, kishte arritur në qytetin e Gazës. Dhe megjithatë, kjo nuk u përmend fare.

Ndërsa programe të tjera informative e përmendën raportin, ishte e qartë se kishin marrë përfundimet e tij me shumë dyshim. Përveç disa komentuesve që deklaruan se në të vërtetë ka uri të madhe në qytetin e Gazës, toni i përgjithshëm ishte mosbesues dhe i ngjyrosur me sarkazëm.

Duke iu referuar gjetjeve të Klasifikimit të Fazeve të Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC), prezantuesi i lajmeve të mbrëmjes në Channel 12 i quajti ato “kontestuese”, pavarësisht se IPC është një organizatë e njohur globalisht që prej dy dekadash klasifikon ashpërsinë e pasigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes.

Një tjetër shembull erdhi nga transmetuesi publik Kan. Aty u pretendua se raporti mbështetej në burime të lidhura me Hamasin dhe nuk merrte parasysh “shifrat reale” – ato të ofruara nga ushtria izraelite. Historia shkoi edhe më tej, duke deklaruar: “OKB-ja preferon të përsërisë fushatën e rreme të urisë të nisur nga Hamasi dhe të injorojë ata që vërtet po vuajnë nga uria – pengjet izraelite në Gaza.” Mund të shtrohet pyetja: pse është e pamundur që pengjet të jenë të kequshqyer, ndërkohë që edhe njerëzit përreth tyre po vdesin nga uria?

Edhe pse disa zëra ndryshe janë dëgjuar (dhe dëgjohen) në transmetime të ndryshme, përshtypja ime është se gjatë kësaj lufte, komentet kanë qenë jashtëzakonisht njëngjyrëshe – sidomos në lidhje me ushtrinë dhe veprimet e saj. Së paku një pjesë e kësaj mund të shpjegohet me faktin se shumë gazetarë – si pjesa më e madhe e shoqërisë izraelite – kanë kryer shërbimin ushtarak të detyrueshëm në Forcat e Mbrojtjes së Izraelit. Është pothuajse sikur transmetuesit e shohin veten si një brigadë tjetër në vijën e parë të frontit.

Lajmet e mbrëmjes vazhdojnë të kenë rëndësi dhe ndikim në Izrael, dhe çdo kanal përzgjedh panelistët e tij. Këta zakonisht përfshijnë të paktën një gjeneral në pension, përkrah komentuesve, analistëve dhe pretenduesve për analistë (shumica burra). Ata diskutojnë një gamë të gjerë çështjesh – përveç njërës: popullatës civile në Gaza.

Kjo duket se shpreh më shumë sesa thjesht mendimet personale të panelistëve. Vetëm muajin e kaluar, një bisedë e brendshme në grupin WhatsApp të redaksisë së lajmeve të Channel 12 u publikua. Disa gazetarë kritikuan mungesën e raportimit për katastrofën humanitare, por u shpërfillën nga drejtori ekzekutiv i kanalit, i cili sugjeroi që thjesht të shikonin lajmet në vend që të sugjeronin çfarë duhej transmetuar.

Kjo duket se është bërë një rregull i pashkruar për gazetarët izraelitë në përgjithësi. “Ata janë shumë të kujdesshëm për të mos prekur temat e nxehta, dhe nëse e bëjnë, e trajtojnë në mënyrë të frikësuar e të anshme,” tha një gazetar i Kan për Haaretz në dhjetor. “Më dhemb të shoh se sa shumë përpiqet vendi ku punoj të lëvizë në drejtimin e djathtë, ndërsa qeveria e akuzon për të majtë.”

Lexo edhe :  Papagalli inteligjent hyn në Guinness për aftësitë e tij të ralla në dallimin e ngjyrave

Kjo akuzë është pjesë tjetër e problemit. Mediat izraelite janë nën vëzhgim të vazhdueshëm – madje edhe nën kërcënim – nga qeveria e Benjamin Netanyahut, e cila i quan mediat kritike “kanalet e helmimit” dhe i ka sanksionuar ose injoruar ato që përpiqen të raportojnë në mënyrë të pavarur. Në një mjedis të tillë, nuk është aspak çudi që pak vetë janë të gatshëm të tregojnë një të vërtetë që është e pakëndshme jo vetëm për qeverinë, por edhe për shikuesit.

Fundja, sipas një sondazhi të publikuar në qershor, 64% e izraelitëve besojnë se raportimi i mediave vendase për Gazën ka qenë i balancuar, dhe nuk ka nevojë të paraqitet një pasqyrë më e gjerë. Ndër ata që votuan për partitë e koalicionit qeverisës, 89% e mbështesin këtë pikëpamje.

Përveç përfshirjes në përpjekjen kombëtare të luftës, gazetarët izraelitë përballen me presione të tjera. E para është frika. Ata shqetësohen se nëse shprehin një mendim të “gabuar” ose duken shumë kontradiktorë, do të përjashtohen – të paktën nga programet e orarit të pikut. Ka pasur raste të shumta kur gazetarët janë detyruar të sqarojnë apo të kërkojnë falje për deklarata të tyre. Një shembull i njohur ndodhi kur redaktori i lajmeve të huaja në Channel 12 kërkoi për ndalimin e luftimeve në Gaza në ditën e 100-të të luftës. Ai tha se pas kësaj deklarate, nuk u ftua më në emisionin e lajmeve të së premtes për një vit të tërë.

Edhe pse javët e fundit kanë treguar disa çarje në murin e mohimit të Izraelit, referencat ndaj vuajtjeve të palestinezëve të paarmatosur mbeten të rralla në TV izraelit. Kur dikush guxon ta përmendë këtë çështje, përballet me pasoja. Në një emision mbrëmjeje në Channel 13 muajin e kaluar, gazetarja Emmanuelle Elbaz-Phelps u përpoq të tërhiqte vëmendjen te pamjet nga Gaza. Por moderatori e ndërpreu menjëherë dhe i kërkoi të mos e përmendte. “Pse duhet të na interesojë?” tha ai. Ai moderator ishte Eyal Berkovic, ish-futbollist i klubeve si West Ham, Manchester City dhe Celtic, i kthyer vitet e fundit në një zë të spikatur në TV izraelit – i njohur për qëndrimin e tij “pa dorashka”. Përveç kur bëhet fjalë për veten e tij.

Në letër, dikush mund të ketë pak simpati për gazetarët izraelitë, të shtypur nga publiku, qeveria dhe ndoshta drejtuesit e tyre. Por kjo nuk mund të justifikojë faktin që, përmes mbulimit të tyre, shtypi izraelit ka kontribuar në injorimin e qëllimshëm të katastrofës në Gaza, si dhe të fakteve të pakëndshme që sfidojnë narrativën zyrtare izraelite.

Me fjalë të tjera: nëse dikush dëshiron të kuptojë pse shumë izraelitë duken indiferentë ndaj palestinezëve, mjafton të ndezë televizorin.

Përgatiti për botim: L.Veizi