Disa militantë turq të ISIS-it kishin një plan për të vrarë Papa Françeskun gjatë vizitës së tij në Trieste më 7 korrik 2024. Këtë e zbulon një hetim i publikuar ekskluzivisht nga gazeta “Il Piccolo”.
Bergoglio kishte arritur në “kryeqytetin” e Friuli Venezia Giulia për të marrë pjesë në mbylljen e Javës së 50-të Sociale të Katolikëve në Itali. Në ditën para vizitës, në një valixhe të braktisur në barin e stacionit ishte gjetur një pistoletë.
Ky zbulim shkaktoi një seri kontrollesh, pasi disa elementë nxitën dyshimin se arma ishte vendosur qëllimisht për t’u gjetur më pas. Hetimet u thelluan edhe nga shërbimet e inteligjencës, të cilat nxorrën në pah një frazë që tashmë ishte në dokumente, mbi një “projekt të mundshëm atentati kundër Papës së Shenjtë”.
Interpoli, vazhdon hetimi i publikuar nga gazeta, ka arrestuar në Holandë një prej të dyshuarve, në një operacion të lidhur direkt me hetimet italiane: turkun Hasan Uzun, 46 vjeç, tani i mbajtur në burgun e Triestes në një qeli izolimi.
Atentati dyshohet se ishte planifikuar nga një organizatë turke e lidhur me ISIS K. Pas ekstradimit nga Holanda, Uzun qëndroi disa ditë në burg në Milano.
46-vjeçari dyshohet të ketë lidhje me pistoletën, ndoshta pasi e kishte transportuar fizikisht në stacion brenda valixhes.
Ende nuk dihet me saktësi se si është identifikuar, nëse përmes kamerave apo informacionit dhe treguesve të tjerë të inteligjencës.
Pistoleta është një armë automatike, Luger kalibri 9, e gjetur me një magazinë dhe 14 fishekë/kb