Më 30 gusht 1995, pas më shumë se tre vjetësh lufte brutale në Bosnje dhe pas një serie masakrash të rënda ndaj civilëve, NATO nisi për herë të parë një fushatë të gjerë ushtarake ajrore në Evropë: Operacionin Deliberate Force (Fushata e Qëllimshme). Objektivi kryesor ishte ndalimi i ofensivave dhe kapaciteteve luftarake të forcave serbe të Bosnjës, të cilat ishin përgjegjëse për rrethimin e qyteteve boshnjake dhe për sulmet ndaj civilëve, përfshirë masakrën e Srebrenicës dhe bombardimin e tregut Markale në Sarajevë.
Operacioni u ndërmor në kuadër të bashkëpunimit mes NATO-s dhe Forcës së Kombeve të Bashkuara për Mbrojtje (UNPROFOR). Ai përfaqësonte një pikë kthese në ndërhyrjen ndërkombëtare në konfliktin e Bosnjës, duke sinjalizuar për herë të parë një reagim të fuqishëm të Perëndimit ndaj krimeve të luftës në Ballkan.
Forcat dhe shkalla e operacionit
Operacioni u komandua nga Admirali Leighton W. Smith Jr, në atë kohë komandant i forcave të NATO-s për Evropën Juglindore. Ai përfshiu:
400 avionë luftarakë,
rreth 5.000 personel ushtarak,
nga 15 vende anëtare të NATO-s, përfshirë SHBA-në, Britaninë, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe të tjera.
Avionët u ngritën nga bazat ajrore në Itali, si dhe nga aeroplanmbajtës amerikanë në Detin Adriatik.
Gjatë fushatës 15-ditore, u goditën 338 caqe ushtarake serbe të Bosnjës – pozicione artilerie, qendra komanduese, linja komunikimi dhe depo municionesh. Nga këto, shumë u shkatërruan plotësisht ose u dëmtuan rëndë. Në total, u hodhën 1.026 bomba, një pjesë e konsiderueshme e të cilave ishin municione precize të drejtuara.
Rezultatet dhe ndikimi
Operacioni “Deliberate Force” arriti të dobësonte ndjeshëm fuqinë ushtarake të serbëve të Bosnjës dhe e detyroi lidershipin e tyre që të ulej në tryezën e negociatave. Ky presion ushtarak u pasua nga një ofensivë e ushtrisë së Bosnjës dhe Kroacisë në terren, e cila ndryshoi balancat e konfliktit.
Brenda disa javësh, filluan negociatat për paqe në Dayton, Ohio, të cilat do të çonin në marrëveshjen e paqes të Dejtonit (nëntor 1995), që i dha fund zyrtarisht luftës në Bosnje.
Operacioni mbetet një moment kyç në historinë e NATO-s, pasi ishte fushata e saj e parë e madhe luftarake, duke vendosur një precedent për ndërhyrjet humanitare dhe ushtarake në dekadat që pasuan.
Përgatiti: L.Veizi