Krizë buxhetore në Washington, Trump shkurton 5 mld $ ndihma të huaja

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar sot, 29 gusht, shkurtimin e 5 miliardë dollarëve ndihma të huaja, të miratuara më parë nga Kongresi, një lëvizje që rrit gjasat për një mbyllje të pjesshme të qeverisë federale, ndërsa demokratët e kundërshtojnë ashpër.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, shkurtimet prekin programe të Departamentit të Shtetit dhe të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

“Presidenti gjithmonë do të vendosë Amerikën të parën,” thuhet në deklaratën e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit.

USAID, e themeluar në vitin 1961 nga John F. Kennedy, është dobësuar ndjeshëm vitet e fundit.

Pas marrjes së mandatit, Trump ka reduktuar ndjeshëm programet e saj, ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio shkurtoi 85% të fondeve dhe e bashkoi agjencinë me Departamentin e Shtetit. Rubio përshëndeti masën e fundit, duke thënë se shërben për të “çrrënjosur mashtrimin dhe abuzimet” në qeveri.

Nga ana tjetër, lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, e cilësoi të paligjshme manovrën e Trump, pasi sipas tij presidenti po bllokon fonde tashmë të miratuara. “Është e qartë se as Trump e as Republikanët nuk kanë një plan për të shmangur një mbyllje të dhimbshme dhe krejtësisht të panevojshme të qeverisë,” u shpreh ai.

Kundërshti ka edhe në mesin e republikanëve…

Trump, i cili nisi mandatin e dytë në janar, ka ndërmarrë një fushatë për të zvogëluar ose shkrirë institucione të tëra federale, ndërsa synon të zgjerojë fuqitë presidenciale. Republikanët kontrollojnë të dyja Dhomat e Kongresit, por për miratimin e ligjeve të reja të shpenzimeve kanë nevojë për votat e demokratëve në Senat.

Demokratët kanë paralajmëruar se një veprim i tillë do të shkaktojë dëme të mëdha në buxhet. Një mbyllje e pjesshme e qeverisë konsiderohet e rrallë, por është tejet e kushtueshme./kb