Belgjika, 100 mln euro për blerjen e armëve nga SHBA për Ukrainën

Qeveria belge ka ndarë 100 milionë euro për të blerë armë nga SHBA-ja në mbështetje të Ukrainës. Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm, Maxime Prevot, pas mbërritjes në një takim informal të ministrave të jashtëm të BE-së në Kopenhagë.

“Ne vendosëm brenda qeverisë belge të vëmë në dispozicion 100 milionë euro,” deklaroi Prevot.

Megjithatë, ai theksoi se Belgjika kundërshton çdo formë të pronësisë të aseteve të ngrira ruse, duke argumentuar se ato duhet të përdoren si “një levë për negociata”.

Sipas tij, asetet sovrane janë “të mbrojtura fort nga ligji ndërkombëtar”, dhe shpronësimi i tyre do të kërcënonte stabilitetin financiar të Evropës, duke paraqitur rrezik sistematik për të gjithë Bashkimin Europian. m.p.