Ka apo s’ka Kuvend në Kosovë?

Për njërin nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Ismet Salihun, Kuvendi nuk është konstituuar ende, pavarësisht se kryetari i tij thotë të kundërtën.

“Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ndodh vetëm kur plotësohen të gjitha organet – kryetari, nënkryetarët dhe komisionet. Deri atëherë, ky Kuvend nuk mund të konsiderohet i konstituuar”, thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë.

Kryekuvendari Dimal Basha e shpalli të mbyllur seancën konstituive më 30 gusht, edhe pse nënkryetari serb nuk ishte zgjedhur.

Nga pesë nënkryetarët e kërkuar me Kushtetutë, katër u zgjodhën – tre shqiptarë dhe një përfaqësues i pakicave joserbe – ndërsa i pesti, nga komuniteti serb, nuk arriti t’i siguronte votat e mjaftueshme.

Basha tha se të gjitha mundësitë për zgjedhjen e tij janë shteruar dhe se seanca mund të konsiderohet e përfunduar.

“Për mua nuk ka logjikë që të bllokohet Kuvendi i Republikës për moszgjedhjen e një nënkryetari”, përsëriti ai më 1 shtator.

Pas krijimit të kësaj situate, Salihu sugjeron që të pritet zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese.

Më 30 gusht, Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kuvend – paraqiti ankesë në Kushtetuese, për mënyrën e votimit të nënkryetarit serb, duke kritikuar veprimin e Bashës që i hodhi në votim ndaras nënkryetarët e pakicave dhe përdori shortin për kandidatët serbë.

“Kushtetuta është shumë e qartë: grupi më i madh parlamentar i partive të komunitetit serb ka të drejtën të propozojë kryetarin ose nënkryetarin e Kuvendit”, shpjegon Salihu.

“Prandaj, serbëve u është bërë një padrejtësi, sepse nënkryetarin nga komuniteti serb kishte të drejtë ta propozonte vetëm Lista Serbe, pa marrë parasysh se a duam a nuk duam ne”, shton ai.

Lista Serbe propozoi vetëm Sllavko Simiqin për nënkryetar, por ai nuk arriti t’i siguronte 61 votat e nevojshme në asnjë nga tri rundet e votimit, ndaj Basha përdori shortin për të dhjetë deputetët serbë – nëntë nga Lista Serbe dhe një nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. m.p.